Gjyqtarja akuzohet për korrupsion, njihet sot me masën e sigurisë

Kjo është Mimoza Margjeka, gjyqtarja e cila akuzohet për korrupsion. Teksa mbërriti e shoqëruar nga policia në ambientet e gjykatës, aty ku zhvillohet seanca për njohjen me masat të sigurisë, Margjeka u përplas verbalisht me policinë dhe kërkoi të fliste me gazetarët. E revoltuar, ajo akuzoi policinë se e kishte lënë rreth 5 orë të priste, sepse e kishin harruar.

Mimoza Margjeka: Kam 4-5 orë që pres policinë që të më shoqërojë, 5 orë! Në 9 e gjysmë jam bërë gati dhe kam njoftuar me avokat, me të gjithë… Përse nuk vijnë të më marrin? Kanë harruar që jam. Nuk ka shkresë shoqërimi. Unë nuk kam asgjë, këto janë shpifje të shtetit, janë përralla.

Teksa fliste në drejtim të gazetarëve, efektivët e policisë që e shoqëronin, i kërkuan që të futej në Gjykatë, por Margjeka e revoltuar hodhi tutje fletën që mbante në dorë dhe iu drejtua një prej efektivëve:

Mimoza Margjeka: Një police femër nuk e kishit dhe më çuat në bodrum. Më çuat në bodrum, s’ju vjen turp. Ku është një femër që nuk më shoqëroi mua? Unë nuk jam njeri ordiner. Nuk ka urdhër shoqërimi, një urdhër e kanë marrë dorazi se kanë harruar. Harrojnë gjyqtarin që e bënë zhele dy ditë, kot pa asnjë gjë. Doni me diskretituar njerëzit, jo ore se jam njeri i gjallë unë. Çfarë i bëni njerëzve, popullit ju? E kam pritur, kam një vit që e pres (arrestimin), jam e kënaqur që e bënë.

U desh ndërhyrja e avokatit që gjyqtarja të qetësohej dhe të futej brenda ambienteve të Gjykatës Kundër Krimit dhe Korrupsionit, aty ku prej orëve të paradites zhvillohet seanca për njohjen me masën e sigurisë për Netjon Balin, Klaudjo Zhillan, avokatin Skënder Demiraj dhe Arben Carën, bashkëshorti i gjyqtares.

Margjeka akuzohet se mori 6 mijë euro për të ndryshuar një masë sigurie. Avokati Skënder Demiraj dyshohet se përmes një sekseri pagoi shumën prej 6 mijë euro tek bashkëshorti i Margjekës, për të ndryshuar masën e sigurisë për klientin e tij. Provat kryesore të prokurorisë janë përgjimet mes të arrestuarve./tvklan.al