Shkencëtarja e njohur Marie Curie bëri një zgjedhje të veçantë kur u martua me Pierre Curie-n në vitin 1895. A e dinit se në vend të fustanit të bardhë tradicional, ajo veshi një fustan blu të errët, të cilin mund ta përdorte edhe pas dasmës?
Sipas biografisë “Madame Curie”, shkruar nga vajza e saj, Ève, Marie dëshironte një veshje praktike, që të mos mbetej e përdorur vetëm për një ditë. Kur iu ofrua një fustan si dhuratë për martesën, ajo kërkoi që të ishte “praktik dhe i errët”, në mënyrë që ta vishte edhe në laborator.

Marie dhe Pierre Curie u martuan më 26 korrik 1895, në një ceremoni civile pranë Parisit. Pas dasmës, shkencëtarja vazhdoi ta përdorte fustanin në laborator për vite me radhë.
Kjo ishte një mënyrë jetese që ajo e ndoqi edhe më vonë. Në vitin 1903, për mbrojtjen e doktoraturës në Sorbonë, Marie zgjodhi një fustan të zi, të cilin e veshi edhe në raste të tjera të rëndësishme, përfshirë vizitën në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1921.
Edhe në laborator ajo kishte një zgjedhje të veçantë, preferonte përparëset e zeza, ndërsa kolegët e saj vishnin të bardha. Pas vdekjes së bashkëshortit, në vitin 1906, Marie vazhdoi të vishej me të zeza në shenjë zie.

Historia e fustanit të nusërisë tregon anën praktike të Marie Curie-t, e cila preferonte t’i përdorte veshjet për shumë vite, në vend që të blinte të reja për çdo rast.












Botërori 2026 
