Mario Meshini, i riu i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Devi Kasmit, do të mbetet në burg. Ka qenë Gjykata e Apelit, e cila këtë të premte ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Meshinin, duke rrëzuar kërkesën e këtij të fundit.

Ai akuzohet nga prokuroria si personi i cili e nxori në pritë Devi Kasmin, mbrëmjen e 29 Janarit. Kasmi u ekzekutua poshtë shtëpisë së tij në rrugën “Petro Cani” në Tiranë.

Që prej arrestimit, Meshini i ka mohuar akuzat.

Ai ka pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi viktimën e kishte mik prej disa kohësh. 25-vjeçari ka thënë para hetuesve se në momentin që mbërriti me motor poshtë pallatit të Kasmit, aty ishin edhe vrasësit, të cilët qëlluan për vdekje 41-vjeçarin. 

Pak ditë pas ngjarjes, policia arrestoi ish-policin grek Efthimios Efthimiu, si vrasësi me pagesë i Kasmit, si dhe tre bashkëpunëtorë të tij Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallarin. Ndërsa Aurel Hoxhallari është në kërkim si organizatori dhe porositësi i atentatit. 

/tvklan.al