Mark Frroku heq dorë nga mandati i deputetit

Posta

Mark Frroku heq dorë nga mandati i deputetit

19:31 26/11/2015 mark frroku

Teksa në Parlament po diskutohej projektligji i dekriminalizimit, deputeti Mark Frroku, kishte autorizuar avokatin e tij që të dorëzonte në Kuvend mandatin. Ky vendim i deputetit demokristian, i cili ndodhet prej më shumë se 6 muajsh në gjendje arresti është konfirmuar nga avokati mbrojtës i tij, Tonin Prendi.

Ai është shprehur se të premten do t’i drejtohet me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për zhveshjen e klientit të tij nga funksionet parlamentare. Në letrën drejtuar Kuvendit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mark Frroku, thotë se heq dorë nga mandati i deputetit për të lënë të lirë dhe pa ndikime organet ligjzbatuese për hetimin dhe gjykimin e veprave, për të cilat ai akuzohet.

Kjo kërkesë e deputetit demokristian vjen në një kohë kur në Gjykatën Kushtetuese pritet të shqyrtohet kërkesa e iniciuar fillimisht nga Partia Demokratike, drejtuar Këshillit të Rregullores dhe Mandateve të Kuvendit, për vlerësimin e  mbarimit të mandatit për deputetin Mark Frroku.

Deputeti demokristian, i cili ndodhet në burg prej më shumë se 6 muajsh u arrestua fillimisht në 26 mars të këtij viti për “dëshmi të rreme”, lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi për një skenar eliminimi ndaj tij.

Një javë më vonë ndaj Frrokut u ekzekutua  masa e sigurisë arrest me burg edhe për një vepër tjetër penale, atë të vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë në vitin 1999, për të cilën autoritetet belge kanë rihapur hetimet.

Pak javë më parë dorëheqjen nga mandati i deputetit e dha edhe deputeti socialist i qarkut të Lezhës, Arben Ndoka, i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Tv Klan

Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi