Përfundimin së shpejti të hetimeve për dosjet 339 dhe 184 ka paralajmëruar kryeprokurorja Arta Marku teksa raportoi në Kuvend mbi veprimtarinë e organit të akuzës në vitin 2018. Pa dashur të komentojë përgjimet e publikuara nga tabloidi Bild, Marku tregoi se i është dashur të nxisë vazhdimisht prokurorët për të çuar në fund hetimet.

“Këto çështje duhen zgjidhur, ka ardhur momenti. Prokurorët tani duhet të dalin në konkluzione. Ju kam kërkuar në çdo takim, që t’iu japin zgjidhje këtyre çështjeve. Prokurorët duhet të dalin në konkluzione dhe t’i drejtohen gjykatës”.

Marku konfirmoi edhe hetimet paralele që po kryhen për nxjerrje të sekretit hetimor, duke thënë se është po aq i rëndësishëm sa zbardhja e dosjeve për zgjedhjet në Dibër.

“Për nxjerrjen e sekretit po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nisja e çështjes nuk është bërë pse dolën sekretet, por se nxjerrja e sekretit nga prokurorët përbën vepër penale dhe nuk mund të anashkalohet.”

Kryeprokurorja sqaroi se me caktimin e prokurorëve të rinj në vitin 2017 u transkriptuan të gjitha CD që u takonin këtyre dosjeve, ndërsa janë dërguar për gjykim shumë persona.

Tv Klan