Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të nënës së 3 djemve. Jeta për të nuk ka qenë aspak e lehtë. Martesa e saj e parë nuk shkoi ashtu si duhet, ish-bashkëshorti largohet në emigracion, por nuk kthehet më dhe ajo mbetet e vetme me dy fëmijët e saj.

Për shkak se nuk e përballonte dot jetesën dhe rritjen e fëmijëve vendosi të martohet dhe në jetë vjen një tjetër djalë.

Problemi i saj më i madh është me djalin e saj të mesëm. Ai ka qenë problematik në shkollë dhe një nxënës që nuk përpiqej shumë për të mësuar.

Gjimnazin e nisi, por nuk mundi ta vazhdonte, pasi nuk i frekuentonte orët e mësimit dhe si pasojë u përjashtua nga shkolla. Pas këtij momenti, jeta për të ndryshoi sepse nëna e tij rrefeu se djali u përzje me një shoqëri jo të mirë dhe u bë tejet i shpërqëndruar.

 

Dashuri: Unë s’kam dashur ta pranoj, por Arbri ka ardhur një fëmijë i lodhur, që në fillim. Kur mendoj tani dy djemtë e tjerë, qysh kanë lindur dhe janë rritur dhe kanë ecur në jetë. Ai ka ardhur një fëmijë i lodhur, unë s’kam dashur ta pranoj, hë se do bëhet, hë se do gjallërohet.

Mirela Milori: I mbyllur në vetvete?

Dashuri: Jo i ngathët, i pazhvilluar, por prapë s’kam dashur kam thënë, është lloj i fëmijës, do bëhet, do rritet, do bëhet aktiv me shokët. Mbaroi 9-vjeçaren, 3 vitet e fundit i kam bërë unë me thënë të drejtën, jo Arbri. Arbri filloi pastaj ato lëkundjet, nuk mësonte, nuk ishte aktiv fare në shkollë. Në fillim se shkonte sikur e merrte notën sa të kalonte, pastaj 3 vitet e fundit u hallakat shumë.

Mirela Milori: Çfarë problemesh filluan?

Dashuri: Nuk përqëndrohej tek shkolla, donte të luante me kompjuterat që kishin dalë, nuk ishte i rregullt. Nxirrte edhe probleme tek shkolla.

Mirela Milori: Të çfarë natyre?

Dashuri: Shumë grindje të vogla, me kalamajtë, me mësueset, I pëlqente njëçik, jo agresiv, Arbri nuk ka qenë agresiv, i bënte gjërat si pakuptuar. Edhe sot ai nuk është agresiv, agresiv është treguar vetëm me mua, me asnjë tjetër nuk është treguar agresiv.

Mirela Milori: Si ishte marrëdhënia jote me shkollën, bashkëpunimi për Arbrin?

Dashuri: Unë isha non stop, rrija mbas djalit shkoja tek shkolla dhe ja mora 9-vjeçaren, e futa në të mesmen. Këtu tek e mesmja pastaj u bë nami. 3 javët e para djali vajti në shkollë, unë nuk e ruaja dot, se nuk ishte një fëmijë bebe, unë isha në punë, isha e angazhuar me punët e tjera. Ai nuk shkoi në shkollë dhe ato menjëherë morën fletëlargimin, ma përjashtuan.

Mirela Milori: Pra e përjashtuan nga shkolla. Nuk tentove më që të rifutej në shkollë?

Dashuri: Iku ai vit!

Mirela Milori: Ai vit ishte bosh, çfarë ndodhi gjatë atij viti?

Dashuri: Arbri i papërqëndruar fare, i lëvizshëm, u pleks me shokë.

Mirela Milori: U përzie me shoqëri jo të mirë?

Dashuri: Po!

Mirela Milori:  Kishte shokë të mirë nga 9-vjeçarja?

Dashuri: Jo, nuk kishte. Ishte dhe i përbuzur.

Mirela Milori: Po pse?

Dashuri: Ne atë që shohim pak më ulët, se unë i kam rritur si i kam rritur ashtu me halle fëmijët. Ne nuk i japim dorën ta ngrejmë, por ne e shtyjmë pak më poshtë.

Mirela Milori: E tallnin në klasë?

Dashuri: E tallnin në klasë, e tallte dhe opinioni jashtë dhe lagjia. Ishte i mbyllur në vetvete.

Mirela Milori: Domethënë me këtë natyrë të mbyllur ka qenë gjithë jetën ky fëmijë, donte një krah të fortë?

Dashuri: Po e donte një krah të fortë. Atëherë kur ai e donte krahun, unë bëra një zgjidhje jo të duhurën.

Mirela Milori:  Flet për martesën?

Dashuri: Po! Jo të duhurën.

Mirela Milori: Po ti pikërisht për këtë krahun, u nise që u martove?

Dashuri: U nisa, por nuk goditi ashtu siç doja unë!/tvklan.al