Ambasadorja amerikane në Shqipëri ka dhënë një mesazh për 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një video-mesazh në Facebook, Kim thotë se midis dy vendeve ekziston një lidhje e veçantë dhe partneritet i fortë.

Ambasadorja Kim beson se në vitet e ardhshme, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara do të arrijnë më shumë duke u mbështetur në bashkëpunimin mes tyre.

“Më 15 Mars, ne festojmë një datë të rëndësishme, 30-vjetorin e rinovimit të marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, rilidhjen e popullit shqiptar dhe popullit amerikan.

Gjatë këtyre ditëve të kaluara, ju keni dëgjuar nga ish-ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në Shqipërisë, të cilët kanë ndihmuar në forcimin e marrëdhënies sonë, të cilët të gjithë e kanë lënë Shqipërinë me mirënjohje, shpresë dhe dashuri të thellë për këtë vend. Unë jam e nderuar që bashkoj zërin tim me të tyrin dhe ndaj mesazhin time me miqtë tanë shqiptarë. Është privilegj të shërbesh si diplomat amerikan kudo në botë, por më lejoni të them se Shqipëria është e veçantë. Që nga momenti kur mbërrita, kam ndierë ngrohtësinë e popullit shqiptar dhe lidhjen e thellë që ekziston midis dy vendeve tona. Nuk ka amerikan që viziton Shqipërinë dhe nuk e përjeton atë. Gjatë vitit tim të parë këtu kam pasur mundësinë të udhëtoj përreth vendit tuaj të bukur dhe të përjetoj mikpritjen e famshme të popullit shqiptar. Faleminderit nga thellësia e zemrës! Dy vendet tona kanë shumë për të festuar së bashku. Dhe qoftë për katastrofa natyrore, Covid, apo kërcënime ndaj demokracisë, ne jemi mbështetur tek njëri-tjetri, kemi punuar së bashku për të kapërcyer sfida të panumërta, krah për krah!

Kjo është një marrëdhënie që mishëron atë që do të thotë të jesh partnerë, çfarë do të thotë të jesh aleat, çfarë do të thotë të jesh miq besnikë. Jam e bindur se vendet tona do të arrijnë gjëra të mëdha gjatë 30 viteve të ardhshme dhe se miqësia midis amerikanëve dhe shqiptarëve vetëm do të thellohet. Shpresoj të bëj pjesën time për të forcuar këtë lidhje të veçantë! Gëzuar 30-vjetorin! Gëzuar të gjithëve”, thuhet në mesazhin e ambasadores amerikane Yuri Kim. /tvklan.al