PUTINPresidenti rus Vladimir Putin ka dorëzuar në Këshillin e Federatës kërkesën për anullimin e rezolutës që i jepte atij të drejtën të dërgonte forcat e armatosura në territorin ukrainas.

Më 1 mars të këtij viti, dhoma e lartë e parlamentit autorizoi kreun e Kremlinit për përdorimin e forcës në rast të përshkallëzimit të konfliktit në vendin fqinj, ndërkohë që Rusia pak ditë më vonë aneksoi gadishullin e Krimesë.

Kërkesa pritet të miratohet gjatë një seance të posaçme ditën e mërkurë. Vendimi i Putin erdhi pas një bisede telefonike që ai zhvilloi me homologun e tij amerikan, Barak Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë sërish kërcënoi për më shumë sanksione ndaj Rusisë, në rast se liderët separatistë në jug-lindje të Ukrainës nuk ulen në tavolinën e bisedimeve me Kievin zyrtar.

Në fakt, një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve është vendimi i filorusëve për të pranuar armëpushimin e hyrë në fuqi javën që shkoi, pjesë e planit të paqes së presidentit Petro Poroshenko. Por Kievi ka akuzuar sërsisht separatistët se gjatë natës kanë qëlluar ndaj pozicioneve të forcave qeveritare me granata dhe armë të tjera të rënda në dy raste, duke shkelur këtë armëpushim që përfundon të premten.

Hapi tjetër, për të cilin ende flitet në mënyrë informale, sigurisht që do të jetë negociata e drejtpërdrejtë mes presidentit të ri ukrainas dhe përfaqësuesve të separatistëve.

Por rreziku i dështimit të këtyre bisedimeve qëndron në faktin se filorusët mund të kërkojnë federalizimin e Ukrainës si një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

TV KLAN