Një marrëveshje dypalëshe për të investuar gati 1 trilion dollarë në infrastrukturën amerikane u kthye në rrugën e duhur të dielën pasi Presidenti Joe Biden ndryshoi mendjen nga këmbëngulja e tij e mëparshme që projektligji të shoqërohej me një projektpropozim edhe më të madh të mbështetur nga demokratët në mënyrë që ai të hidhte firmën e miratimit.

Senatorët republikanë që ndërmjetësuan marrëveshjen me Shtëpinë e Bardhë dhe demokratët për të financuar investime shumë të nevojshme në rrugë, ura, ujësjellës dhe internet të shpejtësisë së lartë, lanë të kuptohet se ishin të kënaqur me komentet e Presidentit Biden se ai po hiqte dorë nga qasja “gjithçka ose asgjë”.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, 48 orë pas manovrave me dyer të mbyllura nga Shtëpia e Bardhë për të shpëtuar marrëveshjen, Presidenti Biden tha se nuk ishte “qëllimi” i tij për të sugjeruar vënien e vetos ndaj projektligjit.

Duket se kjo ka qënë e mjaftueshme për disa republikanë të lëkundur, të cilët kanë shprehur privatisht dhe jo aq privatisht pakënaqësinë e tyre ndaj komenteve të presidentit.

“Pas shumë javë negociatash me demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë për projektligjin mbi infrastrukturën, axhenda tjetër e presidentit nuk u lidh kurrë me përpjekjet për infrastrukturën”, tha senatori republikan Mitt Romney në emisionin “State of the Union” të rrjetit televiziv CNN të dielën.

Ai tha se nëse presidenti nuk do ta kishte bërë deklaratën, “unë mendoj se do të kishte qënë shumë e vështirë që republikanët të thoshin po, ne e mbështesim atë”. “Ne nuk do të mbështesim një paketë shpenzimesh disa triliona dollarëshe”, tha ai duke iu referuar projekt-propozimit të mëparshëm demokrat.

Zoti Romney tha se besonte se tani kishte mbështetje të mjaftueshme të republikanëve në Senat për të arritur pragun prej 60 votash për të m ë njanuar pengesën taktike, të njohur si “filibuster” dhe për të miratuar paketën dypartiake.

Një tjetër negociator republikan, Senatori Bill Cassidy nga Luiziana, madje parashikoi se udhëheqësi i opozitës republikane në Senat, Senatori Mitch McConnell, i cili pret që republikanët të rimarrin shumicën në Senat, mbështetur tek rezistenca e fortë ndaj axhendës së Presidentit Biden, do ta mbështeste projektligjin përfundimtar.

“Nëse arrihet kjo, mendoj se Mitch do ta mbështesë atë”, tha ai në programin televiziv “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Mendoj se udhëheqësi McConnell do ta mbështesë, nëse paraqitet varianti dypartiak.”

Senatori demokrat i Montanës, Jon Tester, parashikoi që paketa do të tërhiqte më shumë se minimumin e duhur, prej 10 senatorëve republikanë, për të miratuar marrëveshjen dypartiake në Senatin 50-50, ku kërkohen 60 vota në shumicën e rasteve për të miratuar projektligje, por ai tha se ka të ngjarë që të ketë pengesa në këtë proces.

“Do t’i shqyrtojmë këto probleme” , tha ai në programin televiziv “Face The Nation” të rrjetit CBS. “Unë mendoj se do të marrim më shumë se 60 vota.”

Marrëveshja dypalëshe ka qenë një përparësi kryesore për Presidentin Biden ndërsa ai përpiqet të zbatojë një premtim fushate për të risjellë bashkëpunimin dypartiak në Uashington dhe për të treguar se demokratët e qendrës dhe të tjerët, se Shtëpia e Bardhë ishte duke punuar me republikanët përpara se Presidenti Biden të përpiqej të miratonte në Kongres paketën demokrate të shpenzimeve.

Të dy projektpropozimet pritej gjithmonë të kalonin së bashku në Kongres: plani dypartiak dhe një projekt-ligj i dytë që do të avanconte sipas rregullave të veçanta, që lejojnë miratimin vetëm me votat e shumicës demokrate dhe që aktualisht është fryrë deri në 6 trilion dollarë. Zoti Biden përsëriti të shtunën se ky ishte plani i tij, por tha se ai nuk po e kushtëzonte njërin nga tjetri.

“Për të qënë të qartë, marrëveshja jonë dypalëshe, nuk i pengon përpjekjet e republikanëve për të rrëzuar Planin për Familjet; po ashtu, ata nuk duhet të kenë kundërshtime ndaj përpjekjeve të mia për të miratuar Planin për Familjet dhe propozime të tjera”, tha Presidenti Biden përmes një deklarate.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi do të kenë komentet e Presidentit Biden tek ligjvënësit progresistë në të dy Dhomat e Kongresit, të cilët i kanë kërkuar presidentit që të mos e zbusë axhendën e tij në përpjekje për arritur një marrëveshje dypartiake.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi e Kalifornisë, ka thënë se Dhoma e Kongresit që ajo kryeson nuk do ta shqyrtojë propozimin dypartiak derisa Senati të shqyrtojë fillimisht projekt-ligjin për shpenzime më të madha të mbështetur nga demokratët.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që presidenti ta dijë se progresistët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe grupe të tjera demokratësh, janë këtu për t’u siguruar që presidenti të mos dështojë”, tha ligjvënësja demorkate nga Nju Jorku Alexandria Ocasio-Cortez në programin televiziv “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Jemi këtu për t’u siguruar që ai të ketë sukses në planin me shpenzime më të mëdha për infrastrukturën.”

Presidenti Biden ka në plan të shkojë në Uiskonsin të martën, ndalesa e parë në një turne mbarëkombëtar për të promovuar paketën e infrastrukturës, tha Shtëpia e Bardhë./VOA