Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve në media të deklaratave të ministrit grek të Punëve të Jashtme, Kotzias, sipas të cilit marrëveshja me palën shqiptare për detin ishte arritur.
Gjatë një interviste për televizionin publik grek ERT, Kotzias pranoi se hapësira detare greke zgjerohet në 12 milje, por pa dhënë detaje se çfarë nënkupton kjo shifër.
Reagimet e sotme Ministria e Punëve të Jashtme i quajti të pabazuara, ndërsa sqaroi se: “
Delimitimi i hapësirave detare është në interes të të dy vendeve si për sa i përket përcaktimit përfundimtar të kufijve të ushtrimit të sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, po ashtu në drejtim të shfrytëzimit ekonomik të tyre.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2009. Në mungesë të një marrëveshje mes tyre, që prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh eksploratore për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje.
Në këto diskutime qëndrimi i palëkundur i palës shqiptare ka qenë dhe mbetet lidhja e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare bazuar në parimet e Konventës për të Drejtën e Detit ku të dy shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm që do të mundësojë një ndarje të drejtë dhe të pranueshme për të dy palët.
Është ky qëndrim i palëkundshëm pika e nisjes për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë çështje. Çdo interpretim tjetër nga aktorët politikë është qëndrim dashakeq që synon të relativizojë, apo më keq, mohojë gabimet trashanike të së shkuarës
”. /tvklan.al