Pajtohen për kujdestari të përbashkët të katër fëmijëve të tyre

Kanye West ka rënë dakord të ndajë kujdestarinë e katër fëmijëve me yllin Kim Kardashian. Reperi i është përgjigjur kërkesës për shkurorëzim të bërë nga bashkëshortja e tij më 19 Shkurt të këtij viti, dhe tani çifti është në proces e sipër për t’i dhënë fund martesës pothuajse 7-vjeçare.

Kim dhe Kanye, në dokumentet zyrtare të dorëzuara në gjykatë kanë cituar diferencat mospajtuese si shkak të shkurorëzimit. Ata po ashtu kanë rënë dakord që të mos kërkojnë dëmshpërblim nga njëri-tjetri, si dhe kane mbajtur pasuritë e tyre të ndara përgjatë gjithë martesës, për shkak të kushteve të marrëveshjes para martesore.

Reperi dhe ylli i “Keeping Up With The Kardashian”, kanë katër fëmijë së bashku, North, Saint, Chicago dhe Psalm, dhe deri më tani frika më e madhe që besohej se do ti çonte në një debat  me njëri-tjetrin në gjykatë, ishte kujdestaria e tyre. Fillimisht bëhej me dije se Kim kishte kërkuar kujdestarinë e plotë të katër fëmijëve të çiftit, por përfundimisht ata duan që të dy të jenë të përfshirë në jetët e tyre dhe qëllimi i vetëm është mirëqenia e fëmijëve.

Klan News