Parashikohet rritje e çmimit të drithërave pas pezullimit të marrëveshjes

Shqetësimet janë rritur në mesin e vendeve të varfra pas vendimit të Rusisë për të mos pranuar që të shtyjë një marrëveshje për eksportimin e grurit ukrainas, afati i së cilës përfundoi më 17 Korrik. Marrëveshja e drithërave të Detit të Zi, e ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Turqia në Korrik të 2022, ndihmoi në uljen e çmimeve globale të ushqimit dhe lejoi agjencitë e ndihmës të aksesonin qindra mijëra tonë ushqim në një kohë të nevojave në rritje dhe fondeve të pakta.

Somalia, vend ku konflikti i pamëshirshëm midis forcave shtetërore dhe militantëve islamikë ka detyruar miliona qytetarë të largohen nga shtëpitë e tyre, ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të marrëveshjes. Vendi i varfër mori 84,000 ton grurë nga Ukraina në 2022, nga 31,000 tonë në 2021, sipas të dhënave të tregtisë së OKB-së, pasi donatorët shtuan ndihmën për të shmangur një zi buke në zona të caktuara. Analistët thonë se çmimet për disa ushqime bazë ka të ngjarë të rriten si rezultat i vendimit të Rusisë.

Mohamed Nor: Me pezullimin e marrëveshjes së drithërave ne parashikojmë që çmimi i grurit të shkojë deri në 30 dollarë ose 28 ose 29 dollarë.

Shashwat Saraf: Unë mendoj se është për të ardhur keq që ne përdorim ushqimin si taktikë politike dhe ushtarake, që në fakt nuk duhet të ndodhë kështu. Kemi parë që vende të tilla si Somalia janë shumë të varura nga importi i ushqimeve, veçanërisht nga Ukraina dhe nga Rusia dhe është e rëndësishme që të mos ketë ndërprerje në furnizimet ushqimore, sepse çdo ndërprerje do të nënkuptonte një rritje të çmimeve.

Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë bëri të ditur këtë muaj se 45 vende kanë nevojë për ndihmë ushqimore nga jashtë, në një kohë kur çmimet e larta të produkteve vendase po nxisin urinë në nivele shqetësuese.

Marrëveshja e grurit është përballur me pengesa që prej ndërmjetësimit të saj nga OKB-ja dhe Turqia. Rusia u tërhoq për një kohë të shkurtër në muajin Nëntor të vitit të shkuar, përpara se të binte dakord për zgjatjen e afateve të saj. Ukraina ka akuzuar Rusinë se prej fundit të muajit Qershor është bërë pengesë duke mos lejuar anijet që të kryejnë lirisht punën e tyre. Po kështu janë ngadalësuar edhe inspektimet e përbashkëta që synonin të siguronin që anijet kishin vetëm ngarkesë me grurë dhe jo armë, çka u vinte ndihmë të gjitha palëve.

Por ndryshe nga sa pretendon, Rusia ka eksportuar sasi të mëdha gruri. Dërgesat ruse të grurit arritën nivele më të larta të të gjitha kohërave pas fushatash korrjeje të madhe. Sipas një vlerësimi të Departamentit amerikan të Bujqësisë ajo ka arritur të eksportojë 45.5 milionë tonë mes viteve 2022-2023, me një rekord tjetër prej 47.5 milionë tonësh metrikë që pritet të shënohet për periudhën 2023-2024.

Duke folur nga Londra, Carlos Mera analist thotë se fermerët ukrainas në këto kushte do të detyrohen të gjejnë rrugë alternative për të provuar të eksportojnë drithërat ukrainas.

Carlos Mera: Pra, ka dy rrugë kryesore alternative, njëra është nëpërmjet kufijve tokësorë të BE-së në perëndim, për shembull, përmes Polonisë, por edhe nëpërmjet porteve të lumit Danub. Portet në Danub janë në thelb përballë ujërave të BE-së. Pra, është një rrugë shumë e sigurt. Por transporti i këtyre  drithërave do të bëhet me tren ose kamionë në skajin shumë jugor të vendit, që është një rrugë shumë e gjatë. Dhe kjo, natyrisht, rrit jashtëzakonisht kostot e transportit, që do të thotë se fermerët ukrainas do të marrin një çmim shumë më të ulët për grurin, që do të thotë se ata mund të mos kenë ndonjë fitim ose mund t’u duhet të shesin nën koston e prodhimit, pra kjo do të thotë  ata do ta gjejnë veten të paaftë për të mbajtur prodhimin në vitet e ardhshme.

Analisti thotë do të vijojë rritja e  çmimeve të  grurit.

“Çmimet e grurit janë rritur me 10 për qind, por edhe çmimet e misrit. Ata janë rritur me pesë, gjashtë për qind. Kështu që çmimet do të rriten. Kjo do të thotë më shumë pasiguri ushqimore në një kohë kur, natyrisht, vendet, veçanërisht vendet e pazhvilluara, po luftojnë me borxhin në shumë raste. Pra, ne do të presim që siguria ushqimore të bëhet një temë edhe më e rëndësishme në të ardhmen”, tha ai.

Ndërsa për fermerët si Kees Huizinga, i cili u zhvendos nga Holanda  drejt vendit të tij të lindjes në Ukrainën në 2003 pezullimi i marrëveshjes së drithërave  do të thotë mbyllje e biznesit për shumë fermerë si ai.

Kees Huizinga: Po, sigurisht, ne do të kërkojmë të mbijetojmë. Disa fermerë që kanë më shumë rezerva do të rezistojnë më shumë, dhe ata fermerë që kanë më pak rezerva ndoshta do të duhet të shesin ose mbyllin biznesin ose t’ia japin dikujt tjetër.

 I vetëdijshëm për pasojat e këtij vendimi Huizing nuk fsheh zhgënjimin.

“Ukraina është një lojtar kyç në furnizimin botëror të ushqimit. Më pëlqen të ushqej botën. Kjo po shkatërrohet nga rusët… nga ata që përpiqen të përdorin ushqimin si armë – nuk kam fjalë për këtë, është thjesht  e papranueshme që e lejojmë këtë që të ndodhë”, tha ai.

Por pavarësisht vendimit të Rusisë fermeri ukrainas thotë se ai dhe fermerë të tjerë do të vazhdojnë të mbjellin tokat e tyre.

“Ne do të përpiqemi të vazhdojmë të mbjellim. Ka shumë shembuj të fermerëve pranë vijës së parë të frontit që mbjellin arat e tyre me jelek antiplumb. Kjo tregon rezistencën e fermerëve. Kjo do të vazhdojë, dua të them, derisa të vdesim, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të përpiqemi të prodhojmë diçka.”

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës në Korrikun e vitit të kaluar për të ndihmuar në zbutjen e një krize globale ushqimore të përkeqësuar nga agresioni rus dhe bllokada e Moskës ndaj porteve ukrainase.

Për analistët politikë marrëveshja e grurit ishte një triumf diplomatik për vetë presidentit Rexhep Taip Ertdoan. Por nëse Moska nuk pranon të rinovojë marrëveshjen, thonë vëzhguesit, fuqia e ndërmjetësit do të shihej me pikëpyetje.

Klan News