Dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë reaguar menjëherë duke kritikuar qeverinë e Kosovës pas marrëveshjes së arritur për njohjen e letërnjoftimeve serbe.

AAK-ja e cilëson të dëmshme, lëshuarje pe ndaj Serbisë dhe mbi të gjitha kërkon shfuqizim të kësaj marrëveshje, raporton Klan Kosova.

“Njoftimet se në Bruksel është arritur marrëveshja për validitetin e letërnjoftimeve ilegale të lëshuara edhe nga strukturat paralele serbe të Kosovës, qoftë edhe për një fazë, siç thuhet tranzicioni, është një lëshim tepër i rëndë i qeverisë së Kosovës. Për më tepër, kjo është lëshuarje pe ndaj kërkesave gjithnjë e më agresive të palës serbe në bisedimet e Brukselit. Njohja e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme, paraqet edhe problem të sigurisë dhe është koncept krejtësisht i gabuar për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Prandaj kërkojmë nga qeveria e Kosovës ta sqarojë saktë se çfarë është diskutuar dhe për çfarë janë marrë vesh në bisedimet e djeshme në Bruksel. Për më tepër kjo qeveri, pas marrëveshjes kundërkushtetuese për Asociacionin me Serbinë, nuk e ka legjitimitetin të bisedojë për kurrfarë çështjesh që lidhen me marrëdhëniet me Serbinë dhe ajo duhet që urgjentisht ta shfuqizojë marrëveshjen e bërë dje, me të cilin po i legjitmon edhe dokumentet ilegale të strukturave paralele të serbëve në Kosovë,”

thuhet në reagim.

Gjithashtu edhe Nisma ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta shfuqizojë marrëveshjen e arritur me Serbinë në Bruksel pasi sipas saj është një poshtërim për shtetin.

 “Njoftimet e fundit se delegacioni i Qeverisë së Kosovës në takimin e fundit me delegacionin e Qeverisë së Serbisë në Bruksel ka arritur një marrëveshje, të cilën po e quajnë kinse veç për një fazë kalimtare, marrëveshje kjo për validitetin e dokumenteve ilegale, të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, është një lëshim tepër i rëndë i Qeverisë së Kosovës, është gjunjëzimi i radhës përballë Serbisë, është tallja e radhës e kësaj Qeverie me qytetarët e vendit tonë, është poshtërim i shtetit”.

Sipas subjektit politik që drejtohet nga Fatmir Limaj kjo marrëveshje për validitetin e dokumenteve ilegale të lëshuara nga strukturat paralele është gjunjëzimi i radhës përballë Serbisë.

Nisma për Kosovën gjithashtu ka kërkuar nga qeveria që t’i ndërpresë bisedimet në emër të Kosovës, pasi siç thuhet në një kumtesë të këtij subjekti, ajo e ka humbur legjimitetin për të marrë vendime në emër të shtetit e të qytetarëve./tvklan.al