Dhuna në shkallët e parlamentit eklipsoi protestën e të dielës kundër Marrëveshjes së Prespës në Athinë, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Qeveria akuzoi Agimin e Artë për tentativë për pushtimin e parlamentit. Policia njoftoi se nga përleshjet u plagosën 25 persona, ndërsa 12 protestues u arrestuan.

“Një ditë pas protestës së dhjetëra mijëra grekëve, sheshi Sintagma ka sërish pamjen e vetë normale. Ndërkaq, ende ndihet në ajër shija e athët e gazit lotsjellës që ditën e djeshme u përdor pa kursim nga policia. Por më e fuqishme është ndjesia e një ndasie të re midis vetë grekëve, që duket se po krijojnë reagimet kundër Marrëveshjes së Prespës. Mesazhi i protestës ishte mjaft i qartë: votimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tradhti kombëtare që i faturohet kryeministrit Aleksis Tsipras dhe qeverisë së tij. Me këtë mesazh pajtohen dhe shumica e partive parlamentare greke.

Kreu i Demokracisë së Re, Qirjakos Micotaqis akuzoi qeverinë se me nënshkrimin e marrëveshjes u fali fqinjëve identitetin dhe gjuhën maqedonase. Megjithatë për Kryeministrin Aleksis Cipras, votimi i saj është një detyrë historike. Komisioni i Jashtëm Parlamentar nisi pasditen e të hënës procedurat për miratimin e marrëveshjes me Shkupin. Pas debatit parlamentar gjatë kësaj jave, marrëveshja pritet të shtrohet për votim mbrëmjen e të premtes. Të gjitha mundësitë janë që marrëveshja të miratohet, pasi veç 145 deputetëve të Sirizës, votën “pro” pritet t’a japin deri në 8 deputetë të tjerë.

Tv Klan