Për Kryeministrin Edi Rama, zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshja e ofruar nga bashkësia euroatlantike. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Rama tha se Kosova dhe Serbia e kanë paqen në tryezë, një mundësi sipas tij e artë, për të nisur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë.



Zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroatlantike, me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme dhe ajo që është më e rëndësishmja për interesin tonë është që paqja është në tryezë. Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike është në tryezë, për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri, dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë, edhe nga Serbia. Është kaq i rëndësishëm ky moment në histori sa të gjitha këto të tjerat janë produkt i një devijimi tërësisht të panevojshëm nga fokusi. Të bëhet paqe përfundimtare në tryezë. Është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Besoj që mund ta them me plot gojë që ajo marrëveshje që është në tavolinë dhe kjo mundësi e artë që është në këtë moment nuk është e thënë që të jetë aty përgjithmonë. Situatat, konjukturat, dinamikat mund të ndryshojnë dhe mund të hyjmë në një kohë tjetër në histori ku nuk do kemi zgjidhje”./tvklan.al