Kryeministri Edi Rama i ka uruar suksese Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas marrëveshjes për formimin e qeverisë së re. Kreu i ekzekutivit i uron dy partitë kosovare që, bashkë me qeverinë shqiptare, të kenë bashkëpunim sa më të dobishëm për të gjithë shqiptarët.

“Suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, shkruan Rama në Twitter.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarizuan këtë të diel nëpërmjet kryetarëve të partive marrëveshjen për koalicionin e përbashkët qeverisës. /tvklan.al