Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka shpjeguar këtë të Premte detajet më të rëndësishme mbi marrëveshjen për transferimin e të burgosurve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Përmes një video-deklarate të postuar në rrjetin e tij social ‘Facebook’, Manja thotë se marrëveshja e Majit të këtij viti mundëson transferimin e të dënuarve shqiptarë në Britani në vendin tonë.

Ai thekson se kjo bëhet me dhënien e pëlqimit nga të dënuarit atje, megjithatë ka raste përjashtimore. Këto të fundit zbatohen vetëm kur drejtësia e Mbretërisë së Bashkuar ka specifikuar në dhënien e dënimit veç burgut, edhe dëbimin.

Ndër të tjera ministri sqaron se transferimi do kryhet bazuar te vendimet e gjykatës shqiptare. Ai thotë se të dënuarit nuk do të vijnë në Shqipëri njëkohësisht, por të ndarë në grupe.

“Të mërkurën e 19 Korrikut, qeveria miratoi marrëveshjen zbatuese mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar. Baza e kësaj marrëveshje janë parimet e humanizmit, të riintegrimit, të risocializimit të të dënuarve shqiptarë në shoqërinë shqiptare. Kjo marrëveshje pason atë të vitit 2021 që është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë e po ashtu në Mbretërinë e Bashkuar. Dua të jem i qartë për opinionin publik dhe dua të marr kohën e nevojshme për të sqaruar detajet kryesore të kësaj marrëveshje.

E para kjo marrëveshje ka si bazë dhënien e pëlqimit të personave të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar të cilët dëshirojnë që të vijnë ta vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri, pranë familjarëve të tyre.

Së dyti, në zinxhirin e institucioneve që përfshihen në këtë proces sipas kësaj marrëveshje përveç ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe homologëve tanë në Britani është edhe Gjykata shqiptare e cila do të bëjë njohjen dhe konvertimin e dënimit të dhënë nga gjykata britanikë për çdo të dënuar sipas legjislacionit shqiptar për të gjitha efektet e dënimeve të dhëna nga drejtësia në Britani. Nuk do të ketë shmangie nga dënimi për asnjë person që transferohet nga Britania në Shqipëri!

E treta dhe që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me faktin se këta të dënuar nuk do të vijnë të gjithë përnjëherë. Ky proces do të bazohet nga vendimet e konvertimit që do të bëjnë gjykatat shqiptare, por edhe nga kapacitetet e lira që ne do të kemi me institucionet tona për vuajtjen e dënimit. Po, për efekt të zbatimit të marrëveshjes sa i takon aspektit financiar, pavarësisht se gjykatat mund të japin vendime individuale në kohë të ndryshme, ne kemi rënë dakord me palën britanike që ata do të vijnë në grup. Dhe sapo të vijë grupi i parë, autoritetet e burgjeve do të marrin pagesat për grupin e parë të të dënuarve që do të transferohen e më pas ministria e Drejtësisë do t’i hapë rrugë grupit tjetër, gjithmonë në varësi të vendimeve që do të japin gjykatat.

Dua të sqaroj se pjesë e kësaj marrëveshjeje janë të dënuarit shqiptarë që japin pëlqimin për të ardhur në Shqipëri, por marrëveshja parashikon edhe mosdhënien e pëlqimit. Janë ato raste kur drejtësia britanike përveç dënimit me burgim ka shqiptuar edhe dëbimin nga Britania e Madhe. Në këto raste, po! Kjo është e shprehur edhe në marrëveshjen e 2021-t, por edhe atë që kemi arritur në Maj të vitit 2023 dhe që tashmë është dokument zyrtar dhe i aksesueshëm për publikun pasi është botuar dhe në Fletoren Zyrtare”, tha Manja.

Kjo marrëveshje bën të mundur transferimin e atyre të burgosurve shqiptarë që u kanë mbetur dhe 4 vjet dënim me burg. Më pas, pala pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë.

Kujtojmë se pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, vetë Manja deklaroi se janë rreth 1336 shtetas shqiptarë në Britaninë e Madhe që ndodhen në qelitë e paraburgimit në pritje të vendimit./tvklan.al