Kryetarja e Partisë Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli, ka folur për koalicionin opozitar teksa është ndalur tek marrëveshja që ka bërë me Patozin.

Në një intervistë për Klan News, ish-kryetarja e Kuvendit, është shprehur se me kreun e Bindjes Demokratike ka bërë një marrëveshje me qëllim të përbashkët, në përpjekje për të maksimizuar votat, por nuk do të kenë listë të përbashkët.

Më tej ajo ka theksuar se e djathta është shkrirë në Shqipëri dhe këtu ka përgjegjësi shumë të madhe Lulzim Basha.

Ju nuk jeni pjesë e koalicioneve, madje dhe me Patozin nuk bëtë koalicion?

“Kemi bërë një marrëveshje sepse kemi të njëjtin qëllim. Nuk do të kemi një listë të përbashkët, por do të kemi një përpjekje të përbashkët për të maksimizuar votat e Shqipërisë të dy bashkë”.

Opozita e bashkuar është me dy grupe, është koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, LSI më vete, kanë vetëm tre qarqe që do të kenë kandidatë të përbashkët. E forcon votën e djathtë kjo apo e dobëson?

T’i thuash të djathtë një force politike me kryetar Lulzim Bashën apo koalicion bashkë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, unë nuk e imagjinoj dot. E vërteta është se e djathta është shkrirë në Shqipëri dhe këtu ka përgjegjësi shumë të madhe Lulzim Basha. Dhe një nga arsyet që unë kam marrë këtë Lëvizje për Ndryshim është edhe për të plotësuar skenën e politikës shqiptare.

Klan News