Marrëveshja për detin, në Gjykatën e Hagës



Marrëveshja për detin, në Gjykatën e Hagës

15:44 20/10/2020

Rama-Dendias: Ligji i Luftës do të hiqet

Do të jetë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës që do të vendosë për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas dy përpjekjeve të parealizuara në 2009 dhe 2018, Kryeministri Rama dhe Ministri Jashtëm grek, Nikos Dendias, lajmëruan pas takimit që zhvilluan në Tiranë, se kanë rënë dakord që mos të ketë me proces negociatash, por t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare.

“Kemi rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohet drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit”.

“Marrëveshja e 98-s ka nevojë për thellim dhe një dinamizëm që të ecim së bashku në një marrëveshje të re sa i përket partneritetit strategjik të dy vendeve”

I vendosur shumë herë në syrin e ciklonit për shkak të qëndrimeve të mbajtur në raport me Greqinë, Rama u ktheu përgjigje edhe atyre që e kanë akuzuar në emër të patriotizmit, sa me fjalë ashtu edhe me simbolikën e kravatës me simbolet e flamurit kombëtar, që mbante edhe një yll pesëcepësh.

“Pasi humbën detin, nacional folklorikët patriotë do të humbin dhe tokën dhe pastaj të gjejnë në ajër ndonjë çështje për të shpallur patriotizmin e tyre sepse çështja e detit nuk është më një çështje me të cilën mund të bëjnë propagandën e tyre të shpifur antigreke dhe as elektorat patriotik, apo në Kosovë. Të vetëvendosen në çështje të tjera”.

Ligji i luftës, një tjetër çështje të mbetur pezull, Ministri Dendias premton se do të hiqesh shumë shpejt.

“Kjo gjë është një anakronizëm dhe jam i sigurt që edhe këtë do ta zgjidhim së bashku dhe është gëzim i madh për mua që kam mundësinë ta them këtë gjënë këtu nga Tirana, me urdhër të Kryeministrit Mitsotaqis”.

Për të gjitha çështjet e tjera që kërkojnë diskutime siç është njohja e pensioneve për emigrantët shqiptare në Greqi, Rama dhe Dendias premtojnë mbajtjen e përbashkët të një mbledhje qeverie.

“Pavarësisht momenteve të caktuara në ecurinë e këtyre marrëdhënieve, kur ne kemi pasur edhe tension, e vërteta është që Greqia nuk ka qenë në asnjë moment pengesë për procesin tonë të integrimit”.

Rama ishte falenderues dhe për mbështetjen që Greqi ka dhënë për procesin e integrimit europian duke mos u ndikuar asnjëherë sipas tij nga tensionet e herëpashershëm që mund të kenë patur marrëdhëniet dy palëshe.

Pavarësisht se ishte në Tiranë, kryediplomati grek nuk hezitoi të flas dhe për marrëdhëniet kritike me Turqinë. Kryeministri shqiptar, i cili nuk e fsheh asnjëherë miqësinë që ka me Presidentin Erdogan, duket se i dha një përgjigje Dendias, kur veç falenderimeve në greqisht foli dhe në gjuhën e Erdoganit.

“Efharisto para poli; Shumë Faleminderit; Eyvallah”.

Tv Klan




Të ngjashme