Pavarësisht optimizmit të shfaqur pas arritjes së marrëveshjes për emigrantët, vendet anëtare mbeten ende larg një sintonie përballë krizës që sa vjen e rëndohet.

Ujdia e arritur në orët e vona pas negociatave të mundimshme, me të zbardhur dita nxjerr në pah atë që është në të vërtetë, një tentativë e BE për të shmangur shpërbërjen e Unionit. Paralajmërimi i parë erdhi nga presidenti Këshillit Europian, Donald Tusk i cili tha se arritja e marrëveshjes është pjesa më e lehtë dhe se suksesi i saj mbetet ende larg.

Ndasia më e madhe është ajo mes Francës dhe Italisë. Presidenti francez Emmanuel Macron mbron idenë e pritjes së emigrantëve nga vendi i parë ku ata shkelin, që është thelbi i traktatit të Dublinit. Ramë dakord edhe për këtë, tha Macron.

Por i menjëhershëm ishte kundërshtimi i Kryeministrit Giuseppe Conte, që tha se Macron do ta ketë pasur nga lodhja e negociatave të gjata. Conte u shpreh i kënaqur pasi tashmë Italia nuk është më e vetme, por nga ana tjetër tha se duhet ta shohë këtë me fakte.

Ky samit ishte një fitore për vendet e Vishegradit, me në krye Hungarinë, që arritën të shmangin vendosjen e kuotave fikse. Përfituesit e azilit do të shpërndahen mes vendeve europiane mbi baza vullnetare, ndërsa në plan mbetet ngritja e kampeve edhe në Afrikë e Lindje të Mesme.

Tv Klan