Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve mes Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiç për hekurudhën dhe autostradën.

Kurti thotë se këto marrëveshje janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ministrat e kabinetit të kaluar qeverisë, ndërsa thekson se Qeveria e tij nuk ka autorizuar asnjë gjë të tillë.

Kryeministri i Kosovës shprehet se teksti i marrëveshjes për hekurudhën nuk është bërë i ditur për publikun, madje as për qeverinë e drejtuar prej tij.

Kurti bën me dije se po analizohen të gjitha hapat që janë ndërmarrë në të kaluarën për marrëveshjet me Serbinë.

“Sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.

Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.

Për më tepër, nëse bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e leverdisshme sesa ajo për Merdare.

Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”, deklaron Kryeministri Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia nënshkruan sot në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe për hekurudhë, ku të dyja vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në. /tvklan.al