Nënshkruhet marrëveshja me kompaninë amerikane për TEC-in e Vlorës

Qeveria shqiptare ka nënshkruar këtë të premte një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë e SHBA-së përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Exxon Mobil&Excelerate Energy për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika në Shqipëri. Për këtë ngjarje të rëndësishme u zhvillua një ceremoni, pjesë e  së cilës virtualisht nga Tirana ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është kryeqyteti më proamerikan. Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërkohë që tha se marrëveshja e fundit e nënshkruar mes palëve vjen pas asaj të nënshkruar për ndërtimin e Skavicës. Falenderime, kryeministri Edi Rama pati edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim, për të cilën tha se ka bërë të mundur nënshkrimin e dy marrëveshjeve.

“Përshëndetje nga Tirana, kryeqytetin e tokës më proamerikane në këto anë të botës. Është shumë prekëse që të jesh këtu si në një takim mes Goliath dhe Davidit sepse të përballesh me kompani si Exxon që ka të ardhura 20 herë më të larta se PBB jonë është mbresëlënëse. Jemi këtu për të qenë aleatë dhe është e shkëlqyer për të pasur partnerë si ju. Besoj që në këtë rrugëtim drejt së ardhmes të jemi në gjendje ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë brenda 2030. Jemi me fat që të kemi partnerët më të mirë për të realizuar një projekt të kësaj përmase. Është një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është projekti i dytë madhor i nënshkruar vetëm këto pak muaj mes qeverisë sonë dhe partnerëve amerikanë, pas atij për ndërtimin e hidrocentralit më të madh në 50 vjet që është diga e Skavicës. Thënë gjithë këtë më duhet të them që asnjë prej të dyjave nuk do kishte qenë e mundur pa dikë që është këtu në këtë takim, që natyrisht është grua, sepse vetëm gratë e forta mund t’i bëjnë të mundura gjërat e tilla, dhe që është ambasadorja amerikane sepse më së fundmi ishte ajo që ia doli që të shtynte një hap më tej këtë marrëdhënie duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunimi të ekonomive. Dua ta falenderoj shumë. Dua të falenderoj çdo kënd tjetër për këtë projekt që besoj se do t’i japë shtysë moralit të qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë në vetvete pasi duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin e lëngshëm natyror e duke ia dalë që të vëmë në jetë një nga investimet e së kaluarës që ka qenë dështim është vërtetë shumë e rëndësishme. 130 mln Dollarë u shpenzuan shumë keq. E di që për Exxon janë qindarka, por për Shqipërinë është një vlerë e jashtëzakonshme. Konvertimi i termocentralit nga nafta me gaz dhe vënia në punë e termocentralit është një hap i jashtëzakonshëm. Ashtu siç thuhet që me 1 gur vrasim dy zogj. Këto janë dy projekte tej mase të rëndësishme në një marrëveshje. Për ta përmbyllur, epoka e gazit e e parashikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shfaqet mirëfilli sot për Shqipërinë. Mund të jetë veçanërisht e artë për këtë anë të botës për rajonin e Ballkanit ku unë besoj fort se kur të shkruhet historia e plotë e shekullit të 21, historianët do të reflektojnë mbi zanafillat e kësaj epoke të artë në këtë rajon. Ndoshta nuk është gjë e madhe për një kompani si Exxon, por do të jetë e rëndësishme për emrin e Exxon Mobile që të jetë e pandashme nga kjo histori në këtë epokë të artë nga kjo pjesë e botës duke treguar jo vetëm fuqinë e vizionit, fuqinë e ekspertizës, por edhe fuqinë mjaft të rëndësishme të marrëdhënieve tona shqiptaro-amerikane. Nuk jam i lumtur që nuk jam atje, por shpresoj që ky është vetëm fillimi dhe ndoshta gjëra të tjera do dalin prej kësaj se e di shumë mirë që Shqipëria ka një dobësi për ata që nuk e njohin. Shqipëria nuk është një vend për të shkuar për ata që nuk e njohin, por ata që vijnë nuk ndahen prej kësaj. Jam i sigurt miku im që tashmë keni rënë në ‘kurth’ dhe jam i bindur që e ardhmja do të na japë shumë më tepër mundësi dhe arsye për të qëndruar në Shqipëri”, tha Rama.

Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe kompanive amerikane përmban 3 pika kryesore: futjen e gazit të lëngshëm në Shqipëri, konvertimin e TEC-it të Vlorës që të punojë me këtë gaz si dhe ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e gazit, duke shndërruar Vlorën në një treg rajonal./tvklan.al