Kryeministri Edi Rama ndodhet në Hungari këtë të hënë ku ka nisur një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit Viktor Orban. Kreu i qeverisë shoqërohet nga disa ministra të kabinetit të tij qeveritar, ndër to edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.  Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Tv Klan, Balluku tha se ka takuar homologun e saj hungarez duke treguar detaje se çfarë ka biseduar me të.

“Gjatë ditës së sotme një takimet më të rëndësishme që kam pasur është një takim me homologun tim, i cili është ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë. Duket sikur flitet për një ministri, e cila mund të jetë një prej sektorëve që ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të qeverisë shqiptare mbulon, por edhe kjo ministri mbulon të njëjtat fusha shumë të ngjashme me ministrinë tonë. Mbulohet transporti, energjia, eficenca në energji, ambienti, inovacioni dhe dixhitalizimi. Kemi pasur një bisedë që ka zgjatur më shumë se një orë. Kemi diskutuar për të gjitha fushat dhe kryesisht jemi ndalur tek energjia ku kjo ministri ka interes shumë të madh për të nxitur investitorët hungarezë për të ardhur dhe për të parë mundësitë për implementim të gjitha projekteve në Shqipëri, por nga ana tjetër edhe bashkëpunimin sa i përket rregullatorit energjitik dhe sa i përket projekteve të rëndësishme të eficencave energjitike. Hungaria është një nga vendet historikisht mbështetëse të Ballkanit dhe Shqipërisë. Çfarë më është dukur interesante është që para përfundimit të verës dhe fillimin e Shtatorit ne do të kemi një takim në Tiranë përmes Ministrisë së Teknologjisë dhe Inovacionit të Hungarisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, është pjesa e grupeve kërkimore që kjo ministri ka. Ka disa grupe në fusha të ndryshme kërkimore të cilat mund të jenë të rëndësishme për Shqipërinë qoftë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në këto fusha, por edhe për të na dhënë një ndihmë si në identifikimin e disa fushave që mund të jenë me interes”.

Balluku u shpreh se, “Ka qenë një ditë e frytshme, plot me takime, takime të cilat na mbushin me shpresë se bashkëpunimi me qeverinë hungareze në të ardhmen do të intensifikohet dhe pse jo do të shikojmë shpejt në Shqipëri edhe investime hungareze. Disa prej tyre kanë nisur. Jemi në diskutime në disa sektorë. Kjo vizitë do të intensifikojë të gjithë ecuri të projekteve për të ardhmen”. /tvklan.al