Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu po zhvillon një vizitë pune në Çeki. Veliu u prit në një takim nga drejtori i Policisë Çeke, Jan Svejdar. Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe si mjaft të mira

“Vlerësoj progresin e bërë nga Policia e Shtetit Shqiptar vitet e fundit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe në operacionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese Interpol, Europol, Frontex etj. Policia Çeke ju mbështet dhe është e gatshme për të shtrirë bashkëpunimin në të gjitha fushat”,

u shpreh Svejdar.

Nga ana tjetër, Ardi Veliu ka vlerësuar rolin e oficerit të kontaktit të Policisë Çeke në Shqipëri, Adriatik Shino, për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit mes dy policive.

“Bashkëpunimi me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese është një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit dhe unë mbetem i vendosur që ky bashkëpunim të forcohet dhe thellohet në të gjitha fushat, pasi krimi nuk ka ngjyrë, kufi e politikë, por ka vetëm një mision, të vrasë shpresën, ligjin dhe të ardhmen, ndaj misioni i të gjitha policive në botë është një, lufta pa kompromis ndaj krimit”.

Në takim u ra dakort për ngritjen e njësive të përbashkëta hetimore në drejtim të hetimit të  kontrabandimit të qenieve njerëzore, për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta në kufi në bashkëpunim me Frontex, për mbështetje logjistike nga policia çeke, si dhe sjelljen e punonjësve të policisë çeke gjatë sezonit turistik.

/tvklan.al