200 vende angazhohen të reduktojnë konsumin e karburanteve

Liderët e rreth 200 vendeve pjesëmarrëse në Samitin për Klimën “COP28” në Dubai arritën një marrëveshje historike. Të reduktojnë deri në zero konsumin e karburantit që buron nga lëndët fosile për të shmangur katastrofën e rëndë që kërcënon globin nga ngrohja globale me ritme të frikshme që po shkakton çlirimi në atmosferë i gazërave karbonikë.

Konsiderohet historike pasi është e para herë që vendet pjesëmarrëse, ku përfshihen edhe ato më të industrializuara të botës, bien dakord për reduktimin e përdorimit të naftës, gazit dhe qymyrit.

Në dy javë samit, negociatat ishin tepër të vështira. Kërkesa e Aleancës së Shteteve të Vogla Ishullore ku bëjnë pjesë vende ishullore që kërcënohen nga zhdukja si pasojë e rritjes së nivelit të oqeaneve nga ngrohja globale u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore.

Kundër angazhimit për reduktimin e përdorimit të karburanteve foslie ishte Arabia Saudite si vendi më i madh prodhues i naftës mes vendeve të OPEC-ut, që kërkoi që reduktimi i emetimeve të gazrave karbonikë të mos përqëndrohet vetëm tek nafta.

Sulltani Al Xhabër i Emirateve të Bashkuara, organizator i samitit tha se faza më e vështirë është vënia në jetë e angazhimeve, reduktimi drastik i përdorimit të karburanteve deri në 2030-ën dhe çuarja në zero e objektivit deri në 2050-ën.

Tv Klan