G7 vendos 15% taksë për kompanitë shumëkombëshe

Grupi i shtatë ekonomive më të përparuara të botës arriti një marrëveshje “historike” për taksimin e kompanive shumëkombëshe. Ministrat e Financave të G7-s që u takuan në Londër ranë dakord të angazhohen të vendosin një taksë minimale ndaj korporatave prej 15%.

Gjigandët e teknologjisë si “Amazon” dhe “Google” mund të jenë ndër kompanitë e prekura. Kjo taksë pritet të mbushë buxhetet kombëtare me miliarda dollarë, duke ndihmuar për të shlyer borxhet e shkaktuara nga kriza e COVID-19.

Marrëveshja e arritur mes SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Kanadasë, Italisë dhe Japonisë, do të shtojë presionin mbi vendet e tjera për të ndjekur shembullin. Diçka e tillë do të ngrihet edhe në takimin e G20 muajin tjetër.

Qeveritë janë përballur prej kohësh me sfidën e taksimit të kompanive shumëkombëshe që veprojnë njëherësh në shumë vende.

Kjo sfidë është rritur me lulëzimin e korporatave të mëdha të teknologjisë si “Amazon” dhe “Facebook”. Për momentin kompanitë mund të krijojnë degë lokale në vendet që kanë norma relativisht të ulëta të taksave për korporatat dhe t’i deklarojnë fitimet atje.

Kjo do të thotë që ata paguajnë vetëm normën lokale të taksës, edhe nëse fitimet vijnë kryesisht nga shitjet e bëra diku tjetër. Kjo është e ligjshme ndonëse bën që kompanitë më të pasura të paguajnë më pak taksa.

Së pari, G7 dëshiron një normë minimale takse në nivel global. Së dyti, rregullat synojnë t’i detyrojnë kompanitë që të paguajnë taksa në vendet ku shesin produktet ose shërbimet e tyre dhe jo vetëm aty ku i deklarojnë fitimet.

Klan News