Pas Italisë, qeveria shqiptare po mundohet të vijojë negociatat për të arritur një marrëveshje për pensionet me Greqinë.

Zv/ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani tha për Klan News se marrëveshja është gati dhe janë bërë dy takime teknike ku ka rezultuar që ka një përputhshmëri mes sistemit tonë dhe grek.

Sipas zv/ministres marrëveshja është gati, por duhet vullneti politik nga ana e Greqisë për të vijuar më tej me procedurat.

“Ka një numër të lartë shqiptarësh në shtetin fqinj që është Greqia. Ne marrëveshjen e kemi gati, grupi negociator është gati. Kemi bërë deri tani dy takime në nivel teknik. Procedura e zakonshme për fillimin e negociatave, për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla fillojnë me takime teknike, që grupi negociator të kuptojë nëse sistemet e menaxhimit të sigurimeve shoqërore janë të përputhshme. Rezulton që sistemi ynë edhe me shtetin grek është shumë i përputhshëm dhe presim një vullnet politik nga ana e shtetit grek për të vijuar më tej me negociatat teknike zyrtarisht. Zakonisht negociatat kalojnë në dy, tre dhe në raste të tjera edhe në katër raunde. Dy-tre raundet e para janë negociata që kanë në fokus marrëveshjen kuadër dhe më pas negociata vijojnë edhe me marrëveshjen administrative ku përcaktohen të gjitha detajet teknike mbi mënyrën si do bëhet zbatimi i marrëveshjes në momentin që hyn në fuqi. Pala shqiptare është shumë gati, draft-marrëveshjen e kemi gati, presim vetëm një sinjal nga ana e palës greke”, tha Manjani./tvklan.al