Në prani të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Greqia, Qipro dhe Izraeli zhvilluan në Jeruzalem takimin trepalësh për marrëveshjen e gazsjellësit East-Med, projekti ambicioz që pritet të ndryshojë hartën gjeo-politike të Mesdheut Lindor dhe të mbrojë Europën nga varësia e gazit rus.

Sekretari Pompeo nënvizoi se projekti energjetik krijon mundësi të reja dhe është thelbësor për rritjen e sigurisë në rajon.

“Mendoj se ky projekt vjen në kohën e duhur, teksa fuqi revizioniste si Irani, Rusia dhe Kina po përpiqen të zgjerojnë terrenin e tyre në Lindje dhe në Perëndim.  Shtetet e Bashkuara shohin Izraelin, Qipron dhe Greqinë si partnerë të mëdhenj dhe kyç në siguri dhe prosperitet”.

Për Kryeministrin grek Alexis Tsipras, roli i vendeve të Mesdheut Lindor është forcuar ndjeshëm dhe është një rol strategjik për sigurinë e rajonit.

“Ideja është të krijojmë një rrjet të sigurtë për të transportuar burimet energjetike të rajonit tonë në Europë. Mendoj se gazësjellësi EastMed mund të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe të sigurisë në rajon”.

Në pritje të gazit qipriot, BE miratoi në muajin Shkurt përmbylljen e projektit të gazëjellësit “Nord Stream 2”, që do të kalojë nga Rusia në Gjermani. Projekti rus u kundërshtua fort nga SHBA dhe tensionoi jo pak marrëdhëniet mes vendeve anëtare, por në fund mori dritën e gjelbër të Parlamentit Europian.

Tv Klan