Elseid Hysaj mbetet pjesë e Seria A, bashkohet me Lazion e Sarri-t

Telenovela e gjatë e merkatos ka marrë fund. Elseid Hysaj është zyrtarisht futbollist i Lazios. Kapiteni i kombëtares shqiptare ka nisur një eksperiencë të re në futbollin italian, këtë duke firmosur me skuadrën kryeqytetase. Detajet nuk bëhen ende të ditura, teksa shkodrani ka zbritur në fushën e lojës duke nisur kështu përgatitjet nën urdhërat e trajnerit, Maurizio Sarri. Hysaj ka qenë i pranishëm në kampin para-sezonal të Lazios.

27-vjeçari do vihet për herë të tretë nën urdhërat e trajnerit Sarri, duke u kthyer edhe në një xhevahir të italianit. Hysaj u bashkua me Napolin nga Empoli për shifrën e 5 milionë eurove në Gusht 2015, por u largua nga klubi jugor më 30 Qershor të këtij viti si futbollist i lirë. Në këtë mënyrë, te Lazio shtohet edhe kolonia shqiptare, me numrin që shkon në 3, pas Thomas Strakosha e Vedat Muriqi.

Klan News