Policia i shpërndan me gaz lotsjellës, shoqërohen disa persona

Protestuesit kanë nisur marshimin e tyre në ditën e katërt të protestës pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga Kryesia e Kuvendit në drejtim të Kryeministrisë.

Ndryshe nga një ditë më parë tubuesit nuk kanë sulmuar Kryeministrinë dhe nuk kanë pushuar në sheshin përpara saj. Ata kanë vazhduar rrugën drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe janë drejtuar për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nën thirrjet “poshtë komunizimi” dhe “policia e krimit.”

Shkatërrimet e objekteve publike kanë qenë më të pakta se një ditë më parë, por incidente të tilla nga grupe të veçanta të protestuesve nuk kanë munguar.

Pre e dhunës kanë rënë sërish kazanet e mbeturinave dhe tabelat sinjalizuese.

Policia ka arritur të shpërndajë protestën me gaz lotsjellës në momentin që qytetarët ishin mbledhur përpara Drejtorisë së Policisë.

Një pjesë e protestuesve tentoi të largohej në drejtim të rrugës ‘Myslym Shyri’, por edhe aty një tjetër grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të tyre duke sjellë shpërndarjen.

Disa vatra të vogla protestuesish mbetën në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas informacioneve zyrtare, si pasojë e gurëve dhe kapsollave të hedhura në drejtim të policëve nga turma e protestuesve, është dëmtuar në sy një efektiv i uniformave blu i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin Nënë Tereza, ndërsa nga ana e saj policia shoqëroi në komisiariate disa protestues.

Tv Klan