Marsi i këtij viti ishte më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë në Europë, krahasuar me të njëjtët muaj të viteve të shkuar.
Agjencia Europiane për Mbikëqyrjen e Ndryshimeve Klimatike “Kopernikus” njoftoi se temperatura mesatare e muajit të kaluar ishte 2.41 gradë Celsius më e lartë se mesatarja e marseve të periudhës mes viteve 1991 – 2020.
Në shkallë botërore, Marsi 2025 ishte i dyti më i ngrohtë mes marseve të viteve të kaluar dhe i paraprin vetëm i njëjti muaj i vitit 2024. Marsi i këtij viti vazhdoi tendencën e rritjes së pandërprerë të mesatares së temperaturave të nisura 21 muaj më parë.
Rritja ishte më e ndjeshme në Europën Lindore dhe jugperëndim të Rusisë, sipas ekspertëve europianë, pasi klima në këto zona po bëhet gjithnjë e më e ngrohtë. Shkaktare e kësaj rritjeje është ngrohja globale, pasojë e çlirimit të lartë në atmosferë të gazrave karbonikë nga konsumi i karburanteve.
Objektivi i marrëveshjes së Parisit për klimën në 2015-ën ishte të mos lejohej kapërcimi i rritjes së mesatares së temperaturave mbi 1.5 gradë celsius. Rritja e temperaturave shpeshton katastrofa natyrore si zjarre e përmbytje.
Tv Klan