INSTAT: Hyrjet e të huajve ishin 44.8% më shume së 1 vit më parë

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në vendin tonë gjatë muajit Mars 2021 ka një rritje të konsiderueshme në krahasim me Marsin e 2020.  Sipas INSTAT, hyrjet për muajin që lamë pas ka qenë 394.478 persona në krahasim me 170.279 persona në Marsin e vitit të kaluar.

Ky tregues i kthyer në pike përqindje rezulton me një rritje prej 44,8%. Ndryshimet në përqindje të treguesve të lëvizjes së shtetasve, janë ndikuar nga masat e pandemisë të vendosura në muajin Mars 2020, thekson INSTAT.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë gjatë tremujorit të parë të 2021 është 513.781, duke rënë me 10,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Gjatë këtij tremujori, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 38,3% dhe Zvicra me 32,7%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 83,5% dhe Anglia me 70,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Pasi “shpëtuan” hotelet dhe konsumin gjatë gjysmës së dytë të 2020-s, shqiptarët e Kosovës kanë vijuar të mbajnë gjallë turizmin dhe në muajt e parë të këtij viti. Për tre muajt e parë, hyrjet e shtetasve nga Kosova përbënin gati gjysmën e hyrjeve të shtetasve të huaj në total, nga rreth 30% që ishte pesha e tyre përpara se të fillonte kriza pandemike.

Të dytët janë shtetasit e Maqedonisë, me 18% të totalit dhe të tretët malazezët, me 12.2%. Sipas INSTAT, kufizimi i lëvizjeve nga shteti grek, ka bërë që hyrjet e shtetasve nga shteti fqinj një pjesë e konsiderueshme shqiptarë me pasaporta greke, të bien ndjeshëm me mbi 80%.

Klan News