Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit rikthen shfaqjet teatrale me komedinë ”Martesa” të Anton Chekhov, duke i dhënë fund heshtjes skenike të diktuar nga pandemia gjatë 14 muajve të fundit. Fituese e disa çmimeve kombëtare, komedia u shfaq në arenën e Amfiteatrit Antik të Durrësit, duke kthyer magjinë e teatrit te publiku artdashës.

E ftuar në emisionin “Rudina”, regjisorja Driana Dervishi është shprehur se ky është një rikthim i bukur pasi komedia luhet tek amfiteatri.

“Është java e dytë dhe jemi vërtetë shumë të lumtur që biletat tashmë janë të shitura dhe për këtë javë. Ka ikur shumë shpejt. Mendoj që ishte një emocion i mbarsur prej më shumë se 1 viti e gjysëm shkëputje dhe unë besoj se kemi bërë një rikthim të bukur, duke pasur parasysh që është pikërisht amfiteatri. Unë do të doja që këtë pjesë të suksesit ta ndanim me lokacionin, që është një vend që flet shumë dhe besoj ishte i duhuri në kohën e duhur”, thekson Dervishi.

Kjo shfaqje është vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi nën interpretimin e aktorëve, Andia Xhunga, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Jaho Guma, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Xhejn Fama, Adelina Muça, Amos Zaharia dhe Gjergj Doçi.

Komedia me 5 pjesë me një akt “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, është e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën, një nostalgji lirike, që përshkruan gjithçka./tvklan.al