Inter me hap të rëndësishëm drejt titullit

Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku veshin Milanon zikaltër. Janë ata autorët e suksesit 3-0 të Interit në derbin me Milanin.

Ndeshje e luajtur mezditën e kësaj të diele u dominua që prej nisjes së saj nga skuadra e Antonio Conte. Lautaro gjeti golin e avantazhit që në minutën e 5. Meritë ishte edhe e Lukaku që dha një pasim të saktë për gol.

Me fillimin e pjesës së dytë u duk se Milan do të rikthehej në lojë por vetëm për pak minuta pasi Lautaro shënoi edhe golin e dytë. Ishte goditje e rëndë për Milanin.

Inter mori më shumë kurajo dhe skenën e vodhi Lukaku. Sulmuesi i fuqishëm belg fillimisht u ndal nga Donnarumma por në tentativën e dytë pati sukses duke shënuar golin e knock-out të Milanit.

Me një rezultat të pastër 3-0 dhe me 20 minuta lojë të mbetura, Inter nuk e pati të vështirë të kontrollonte fushën.

Tashmë zikaltrit u shkëputën me 4 pikë nga Milani ndjekës dhe kjo ndeshje mund të rezultojë vendimtare për ta në garën për titullin kampion pas 11 vitesh.

Tv Klan