Vendim mbyllje dhe për kopshtin Zybeyde Hanim

Mbyllja e shkollës jo publike “Mehmet Akif Ersoy” nga ana e qeverisë shqiptarë ka ardhur si pasojë e disa shkeljeve në legjislacionin, ndër të cilat Ministria e Arsimit rendit kryerjen e procesit mësimor në një godinë të pa certifikuar. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ministrja Evis Kushi shpjegon se “Mehmet Akif” nuk ka plotësuar kriteret ligjore për të vijuar mësimin.

Ky vendim i qeverisë ka ngjallur protesta në shkollën jo publike “Mehmet Akif Ersoy”. Drejtori i këtij institucioni e konsideron vendimin surprizë të pajustifikuar dhe paralajmëroi se do ndjek rrugën ligjore.

“Ne vendimin e Këshillit të Ministrave e kemi marrë nga mediat. S’kemi asgjë zyrtare. Kemi 3 muaj që jemi zhvendosur në këtë ndërtesë dhe kemi bërë kërkesë në Ministri, sipas një relacioni të mëparshëm. Vërejtja ka qenë për 4 klasa sa i përket vendosjes së tabelave në raport me dritën, gjë që e kemi rregulluar menjëherë. Ky qenka një problem serioz për shkollim që ka çuar në mbylljen e institucionit. Ne jemi në shekullin 21 dhe përdorim teknologji, tabela smart që s’kanë të bëjnë me dritën natyrale. Vërejtja e dytë ishte mungesa e një palestre, në momentin që flasim është e gatshme për mësim. Do bëjmë çështje e mundur nga ana ligjore”.

Më herët, Ministria e Arsimit ka marrë vendim edhe për mbylljen e kopshtit “Zybejde Hanem”, pjesë e shkollës Turgut Ozal, shkak është bërë ndryshimi i vendndodhjes nga rruga e Kavajës tek ish-qyteti i nxënësve që është bërë në vitin 2004.

“Në raportet e inspektimit është konstatuar se ky kopsht përmbush të gjithë kriteret e ligjshmërisë, si dhe është lënë rekomandim nga inspektorët marrja e miratimit për ndryshimin e vendndodhjes së kopshtit, në dukje një procedurë për t’ia përshtatur ligjit. Në zbatim të rekomandimeve, kopshti jopublik “Zubeyde Hanim” në mënyrë të përsëritur ka aplikuar për marrjen e miratimit duke filluar nga data 16.02.2022 , MAS ka refuzuar kërkesën tonë për miratimin e ndryshimit të vendndodhjes, duke çuar në mbyllje”, thotë Gentiana Burimi, drejtore didaktike e kopshtit.

“Kjo çfarë ka ndodhur mos komunikim nga Ministria e Arsimit, mos respektim i ligjit, i kritereve të ligjit për arsimin parauniversitar dhe kjo është reflektuar në këtë urdhër të padrejtë dhe të paligjshëm”, shprehet Isuf Shehu, juristi i “Turgut Ozal”.

Kopshti “Zyvejde Hanem”, ashtu si edhe shkolla jopublike “Mehmet Akif Ersoy” kanë paralajmëruar se do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore në gjykatë.

Tv Klan