Ora policore nis nga 20:00, mbyllen lokalet

Gjatë dy javëve të ardhshme qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të jenë nën masa më të ashpra shtrënguese me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Ora policore do të fillojë, dy orë më herët në 20:00 e do të zgjasë deri në 05:00 të mëngjesit. Në 14 ditët e ardhshme nuk do të punojnë as edhe objektet hotelerike. Porositë mund të bëhen vetëm online. Kryeministri Zaev tha se masat po merren me qëllim që të largohet presioni ndaj mjekëve dhe sistemit shëndetësor.

“Vendimtare është të kufizohet numri i kontakteve që i bëjmë për çdo ditë. Në emër tim dhe të qeverisë bëj thirrje, qëndroni në shtëpi në këtë periudhë, mos dilni nëse nuk e keni patjetër dhe assesi mos u gruponi. Me këto masa presim të zvogëlohet përhapja e infektimeve dhe të ulet presioni ndaj punonjësve shëndetësor”.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, vendi po përballet me një valë që është shkaktuar nga mutacioni, ndryshe nga virusi i Nëntorit.

“Hospitalizimi zgjat më shumë për dallim nga vala e mëparshme kur në ditën e 14-të pacienti vlerësohej si i shëruar. Tani kemi edhe pacientë të rinj me përkeqësime të pasqyrës mushkërive në ditën e 12, 13 të mjekimit, që fatkeqësisht përfundojnë me fatalitet krahas trajtimit dhe terapive”. 

Sipas Zv/Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Hasanit, masat restriktive janë të nevojshme edhe për shkak se vendi gjendet në prag të festave fetare.

“Gjendemi para dy zgjidhjeve, kemi Ramazan dhe agjërim të kufizuar ose të kemi Bajram dhe Pashkë komplet të mbyllur. Nëse nuk marrim vendime më të rrepta në këtë fazë sigurisht se do të ballafaqohemi me mbyllje gjatë Bajramit dhe Pashkëve. Shpresoj që kjo të mos ndodhë”.

Ndryshe sipas bilancit të së Hënës së MSH-së shënohen edhe 37 viktima tjera që çon në total numrin e tyre në 3.977, kurse në spitalet Covid të Maqedonisë së Veriut trajtohen mbi 1.700 pacientë. 

Tv Klan