Epidemiologët: Në kufi kontrollohet çdo udhëtar nga Kina

Ky është kalimi kufitar në mes të Bosnjës dhe Serbisë. Një grup turistësh ishte nisur për pushime, por tani udhëtimin e bëjnë në përcjellje për shkak se vijnë nga Wuhan, vendi që u shpall karantinë në Kinë. Xhiroja e tyre në

Kroaci e Bosnje u ndoq nga autoritetet e tre vendeve, ndonëse pa shenja se mund të bartnin virusin vdekjeprurës. Ata tani kanë arritur për disa ditë në Serbi.

“Në bazë të protokollit që kemi dhe nëse gjendet dikush i infektuar që vjen nga Wuhan, atëherë do të izolohet në hapësira të veçanta dhe masa të tjera”, thotë epidemiologu Vlladan Shaponiç.

Kjo është festa e Vitit të Ri Kinez, me kalendarin lunear. Mijëra turist kinez kanë shtuar vizitat e tyre viteve të fundit në Ballkan pasi të paktën në Serbi, Bosnje dhe Shqipëri mund të udhëtojnë pa viza.

Lehtësira kanë në vendet tjera nëse janë grup. Vetëm në Serbi nëntë muajt e parë të vitit që shkoi kanë zbarkuar 77 mijë turistë kinez.

Autoritetet thonë se nuk ka rrezik, por apelojnë tek qytetarët të ndjekin organet zyrtare në rast se gjendja ndryshon. Por, turistët duket se janë mirë.

“Së pari i këshillojmë qytetarët të mos krijojnë panik pasi nuk ka hapësirë për këtë. Qytetarët duhet të ndjekin ministrinë dhe institutet dhe qendrat e tjera shëndetësore. Nëse ka diçka, qytetarët do të informohen në kohë, por ne nuk presim ndonjë gjë alarmante”.

Ishte dyshuar për një rast të një pacienti në Ballkan, por nuk kishte rezultuar i infektuar. Ministria serbe e Shëndetësisë ka thënë se masat janë marrë dhe deri më tani nuk ka raste pacientësh të infektuar.

Tv Klan