Gjyqi ndaj lordit meksikan të drogës, Joaquin Guzman, i njohur me emrin El Chapo, do të mbahet të hënën e ardhshme në New York. Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë, ndërsa kanë mbajtur të fshehtë emrat e 12 anëtarëve të jurisë.

El Chapo ishte ekstraduar nga Meksika dhe mbahej i burgosur në një qeli, në burgun federal të New York-ut. Akuzat ndaj Guzman janë të shumta, duke filluar që nga trafikimi i sasive të mëdha të drogës në Amerikën e Veriut, pastrimi i parave dhe rrëmbimet. El Chapo akuzohet gjithashtu për disa vrasje në qytetet e Chicagos, Miamit dhe New York-ut.

Sipas Zërit të Amerikës, hetuesit do të kërkojnë sekuestrimin e 14 miliardë dollarëve nga pasuria e lordit të drogës. Ndërkohë masat e sigurisë për gjyqin ndaj Guzman janë shtuar së tepërmi, duke marrë shkas nga dy arratisjet e tij nga burgjet e sigurisë së lartë në Meksikë. Përsa i përket dëshmitarëve, ata po mbahen në mbikëqyrje të rreptë, për të parandaluar ndonjë atentat nga anëtarët e tjerë të kartelit Sinaloa.

/tvklan.al