Të paktën 17 persona kanë mbetur të vrarë në një shkollë të mesme në Parkland të Floridas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autori i dyshuar i kësaj masakre është Nikolaus Cruz, një 19-vjeçar, ish-nxënës i përjashtuar nga kjo shkollë.

Sipas asaj që shkruan amerikanja CBS, duke cituar policinë, ai aktivizoi alarmin e zjarri duke shkaktuar kaos në shkollë, përpara se të hapte zjarr.

Nikolaus Cruz

Nxënësit u detyruan të fshiheshin nëpër klasa, ndërkohë që policia rrethoi ndërtesën.

Zyrtarë të policisë thanë se Cruz kishte një pushkë gjysmë automatike dhe një numër të madh karikatorësh.

Të shtënat me armë nisën jashtë shkollës, ku 3 persona u vranë. Më pas 19-vjeçari u fut brenda ku vrau 12 persona të tjerë.

2 persona humbën jetën në spital.

Me ngritjen e alarmit, policia nisi të evakuonte nxënësit duke marrë me radhë ndërtesat. Pamjet e publikuara në internet tregojnë studentët që po evakuoheshin në grupe të vogla, ndërkohë që policia patrullonte perimetrin e shkollës.

Teksa e gjithë ngjarja zhvillohej, një video e kapur nga helikopteri tregonte një person që vihej në pranga dhe futej në makinën e policisë.

Në mediat amerikane raportohej për një numër të madh prindërish që ishin mbledhur jashtë perimetrit të vendosur nga policia.

Dëshmitarë të shumtë që ndodheshin brenda ndërtesës raportuan për media të ndryshme se përpara se të nisnin të shtënat me armë kishte rënë alarmi i zjarrit.

Një prej studentëve të evakuuar nga shkolla, duke folur për CBS tha se fillimisht kishin menduar se nuk bëhej fjalë për asgjë serioze, e se ishte një lloj stërvitjeje.

Një mësuese tha për WSVN se sëbashku me 19 studentë të tjetë ishin fshehur në dollape, për rreth 40 minuta dhe se shkolla ishte trajnuar për në situatë të tillë 6 javë më parë.

Presidenti Donald Trump në një postim në Twitter shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. Zëdhënësja e Zyrës për Shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Lindsay Walters tha se presidenti ishte informuar për situatën dhe se po e monitoronte atë nga afër.

“Lutjet dhe ngushëllimet e mia për familjet e viktimave të ngjarjes së rëndë në Florida. Asnjë fëmijë, mësues apo kushdo tjetër nuk duhet kurrë të ndihet i pasigurt në një shkollë amerikane”,

shkruajti Trump.

Që prej 2013-s, në Amerikë ka pasur të paktën 291 të shtëna me armë në shkolla, që mesatarisht do të ishte 1 në javë.

Kjo besohet të jetë një prej masakrave më të rënda në vend që prej 2012-s, kur Adam Lanza sulmoi shkollën fillore Sandy Hook, në Newtown të Connecticut. Ai qëlloi për vdekje 20 fëmijë dhe 6 të rritur, përpara se të vetëvritej.

//tvklan.al