France Newspaper AttackMe thirrjet “Allahu Ekber –  Zoti është i madhërishëm” dhe pa pikë mëshire, dy atentatorë të maskuar qëllojnë për vdekje me Kallashnikov një polic, i cili pasi e kanë plagosur u lutet të mos e ekzekutojnë.

Ai është një prej 12 viktimave të masakrës qe ndodhi rreth mesditës në mjediset e revistës javore satirike franceze “Charlie Hebdo”, që ndodhet jo shumë larg pallatit të Bastijës.

2 sulmuesit hynë deri në katin e dytë të ndërtesës, ku po zhivillohej mbledhja e përditshme e redaksisë. Shumë prej gazetarëve në panik e sipër u fshehën në taracën e godinës ku ajo ndodhet. Mes kaosit të krijuar, u dëgjuan 30 deri 50 të shtëna. Plumbat u shkaktuan plagë, 10 personave të tjerë, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Sakaq, atentatorët u larguan me një automjet tip Citroen, të ndihmuar edhe nga një person i tretë. Automjeti u gjet i braktisur rreth 2 orë e gjysmë pas masakrës. I gjithë Parisi është blinduar nga masat e sigurisë, që kaluan në nivelin më të lartë, atë të alarmit nga terrorizmi.

Presidenti Francois Hollande urdhëroi angazhimin e ushtrisë në sigurimin e të gjitha objekteve publike. Vijon operacioni për gjetjen e autorëve, të cilët dyshohet se kanë lidhje me Shtetin Islamik.

Një karikaturë e publikuar në Twitter nga redaksia e Charlie Hebdo, ku shfaqej kalifi i Shtetit Islamik Abu Bakër al-Bagdadi, ku një ndër diçiturat ishte “Përshëndetje nga Al-Bagdadi” mendohet të ketë qenë një prej shkaqeve të masakrës.

Pak minuta para ngjarjes, grupimi kërcënoi Francën me kryerjen e një sulmi terrorist, por pa specifikuar natyrën e tij. Policia po heton nëse karikatura është shkaku i masakrës.

Ndër viktimat është edhe redaktori i revistës Stephane Charbonneau, njëri prej vizatuesve të karikaturave. Prej vitit 2013, ai ishte në listën e personave që duheshin ekzekutuar për fyerjen e islamit. Lista u publikua në revistën e Al Kaedës “Inspire”.

Në numrin e të mërkurës, Charbonneau kishte vendosur titullin që dukej se e parandjente tragjedinë, “Ende asnjë atentat në Francë”. Vizatohej gjithashtu një terrorist islamik me mjekër dhe mitraloz në krah që thotë: “Prisni! Kemi kohë deri në fund të janarit për të bërë urimet tona”.

Edhe më parë, kjo revistë satirike ka qenë në shenjestër të sulmeve terroriste me karikaturat ndaj profetit Muhamed. Në nëntor të 2011-ës, redaksia u sulmua me bomba, pasi në botimin e saj, i bëhej ftesë profetit Muhamed të bëhej redaktor i revistës. Charbonneau reagoi në atë kohë, duke mbrojtur karikaturat si një shprehje të fjalës së lirë.

Ndër të parët që dënoi sulmin, pas presidentit Francois Hollande dhe krerëve të shtetit francez ishte edhe imami parizien Hassen Chalghoumi, i cili tha se atentatorët ishin mishërim i djallit dhe nuk kishin lidhje me islamin.

Akti u dënua edhe nga liderë ndërkombëtarë si kryeministri britanik David Cameron, presidenti amerikan Barack Obama, sekretari i shtetit John Kerry, e deri tek Papa Françesku.

Tv Klan