Kartelet e drogës në Meksikë kryejnë një tjetër masakër. Së fundmi, karteli më i madh i drogës Jalisco New Generation, ka sulmuar rajonin e policisë në Villagrán, Guanajuato, ku janë vrarë 3 policë, janë plagosur 2 të tjerë, ndërsa janë rrëmbyer edhe 4 zyrtarë, mes të cilëve edhe një gjykatës.  

Të paktën 15 persona të armatosur hapën zjarr dhe më pas hodhën një granatë në ndërtesën e policisë. Pasi u larguan, ata lanë edhe një slogan me mesazhe ku kërcënonin hapur këdo që ishte mbështetës i Jose Antonio Yepez Ortiz, i cili është edhe udhëheqësi i kartelit Santa Rosa de Lima.

Të dyja grupet kriminale që nga Dhjetori i vitit 2017 janë në luftë me njëri tjetrin. Ata kanë kryer shumë krime duke përfshirë këtu vrasje, rrëmbime, mbajte armësh të paligjshme etj.

Në mesin e muaj Tetor, anëtarët e kartelit Jalisco ekzekutuan 14 oficerë policie duke u cilësuar si ngjarja më e rëndë në qytetin e Michoacán.

Kujtojmë se rreth një muaj më parë pjesëtarët e dy familjeve të cilët po udhëtonin me një makinë u ekzekutuan nga banda e narkotrafikantëve. Viktimat ishin të familjes LeBaron, nga një komunitet Mormon që është vendosur në kodrat e Meksikës veriore disa dekada më parë.

Kartelet e drogës i ngatërruan me rivalë duke i qëlluar me breshëri plumbash pa paralajmërim, dhe më pas u vunë zjarrin makinës ku ata ndodheshin.

Më herët, Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador ka deklaruar se do të bëhet një luftë të ashpër ndaj karteleve të drogës, të cilët kontrollojnë një pjesë të madhe territorit meksikan, ku shpesh nuk guxohet as të kontrollohen nga policia.

Kreu i Meksikës nuk ka pranuar ofertën e Shtëpisë së Bardhë për të dërguar ushtrinë, por është gati për bashkëpunimin me FBI në hetimin e masakrave të tilla që kryen nga trafikantët e drogës.

Klan Plus