Alarm mbi forumet raciste online, kritika edhe për Trump

Këta janë Konor dhe Megan Bets, vëlla e motër. I pari është autori i masakrës së Ohajos që shkaktoi 9 viktima e 26 të plagosur, e dyta, një nga viktimat e marrëzisë së vëllait të saj.

Policia amerikane publikoi identitetet e viktimave dhe mes tyre rezultonte edhe motra 22-vjeçare e agresorit. Ende nuk ka një motiv të qartë për masakrën e shumëfishtë. Pista kryesore që po ndjekin hetuesit është ajo e urrejtjes ideologjike. Konor Bets ishte një përkrahës i flaktë i socializmit dhe urrente konservatorët republikanë. Në postimet e tij në Twitter ai bënte thirrje për të vrarë të gjithë fashistët, ndërsa në përshkrimin e profilit të tij, shkruante se do të shkonte në ferr dhe nuk do të kthehej më.

Masakra e Ohajos, bashkë me atë në Teksas vetëm 13 orë përpara, e ka kthyer sërish vëmendjen tek institucionet e sigurisë në SHBA. Armiku kryesor i autoriteteve duket se janë rrjetet sociale.

Autori i sulmit të Teksasit, Patrik Krusius, ishte pjesë e forumeve online të supremacistëve të bardhë, i njëjti ku ishte edhe terroristi i Christchurchit Brendon Tarrant, nga i cili Krusius mori edhe frymëzimin për të kryer masakrën në El Paso. Sipas hetuesve amerikanë, këto forume janë 22 herë më të mëdha se rrjetet xhihadiste online dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë.

Presidenti amerikan Donald Trump dënoi ashpër sulmet dhe i cilësoi të sëmurë mendorë autorët. Mbi shefin e Shtëpisë së bardhë kanë vërshuar një lumë kritikash nga demokratët mbi tregtinë dhe liberalizimin e armëve.

Tv Klan