Deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit, që kërkon dënimin e autorëve të masakrës së 30 viteve më parë në sheshin Tienanmen, ka shkaktuar polemika të forta mes Uashingtonit dhe Pekinit. Ambasada kineze në Uashington i konsideron deklaratat e Mike Pompeo “arrogante” dhe “ndërhyrje në punët e brendshme” të Kinës.

“Deklarata ndërhyn në mënyrë vulgare në punët e brendshme të Kinës, sulmon sistemin e saj dhe njollos politikat e brendshme dhe të jashtme”.

Pompeo e cilëson një kapitull të errët të historisë këtë masakër. Sekretari amerikan i shtetit shkruan se “Shtetet e Bashkuara nderojnë këtë lëvizje heroike të popullit kinez” dhe se “pas 30-vitesh, shpresa për një shoqëri më të hapur e tolerante në Kinë është venitur”.

Më 4 Qershor të vitit 1989, qeveria kineze shtypi me tanke protestat e studentëve në sheshin qendror të Pekinit. Të rinjtë kërkonin më shumë liri e demokraci. Nga kjo masakër u vranë rreth 2600 njerëz. Manifestimet frymëzoheshin nga era e ndryshimeve në bllokun komunist.

Tv Klan