Me pankartën “Qytetërimi është më i fortë se krimi”, qytetarët e Shkodrës kanë zhvilluar një protestë në formë marshimi në qendër të qytetit pas atentatit në Dobraç i cili la si pasojë tre viktima. Marshimi nisi nga sheshi ku ndodhet godina e Bashkisë së Shkodrës, në pedonalen ‘Kolë Idromeno’ e më pas në sheshin ‘Nënë Tereza’. Qytetarët mbajtën një minutë heshtje para institucionit të Prefekturës.
Ata shprehen se janë pjesë e këtij marshimi jo për arsye politike, por për të mbrojtur vlerat e qytetit të tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi thanë për Klan News se kryeqendra e veriut është nën kontrollin e bandave, ndërsa nuk i kursyen akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar protesta të tjera kundër qeverisë në formën e mosbindjes civile, të cilat sipas tij mund të zgjasin me ditë ose javë.
Klan News