E ka mbajtur kokën ulur pothuajse gjatë gjithë seancës gjyqësore 51-vjeçari Kujtim Koxha, që akuzohet se vrau 3 persona dhe plagosi një tjetër mesditën e 11 Tetorit në fshatin Shëlli të Matit.

Paraditen e së hënës ai doli para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë. Në sallë nuk kishte asnjë nga familjarët e tij. Edhe avokati mbrojtës për të cilin tha se e kishte caktuar familja nuk kishte udhëtuar nga Tirana.

Pas kësaj iu caktua një avokat kryesisht. Prokurori Abaz Muça sqaroi rrethanat e krimit dhe se si një konflikt banal për shtrimin e rrugës përfundoi në një masakër. Akuza kërkoi lënien në qeli deri në përfundim të hetimeve. Vetë 51-vjeçari nuk bëri komente duke u përgjigjur shkurt se nuk ishte në gjendje të fliste. “

Nuk jam në gjendje të flas”

.

Avokati i tij mbrojtës kërkoi kryerjen e hetimeve të thella ndërsa vendimin për masën e sigurisë e la në dorë të gjykatës. Edhe 51-vjeçari nuk pati asnjë pretendim duke thënë vetëm fjalët: “Si të jetë ligji”.

Për pak minuta gjyqtari i çështjes vendosi la lërë në burg babain e 3 fëmijëve të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Të enjten e kaluar ai hapi zjarr ndaj punëtorëve të bashkisë që po drekonin në një nga lokalet e zonës duke lënë të vrarë në vend Mentor Hoxhën, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi humbën jetën pak orë pas ngjarjes. I plagosur mbeti dhe Astrit Hani.

Tv Klan