Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka reaguar lidhur me masakrën e kësaj të enjte, ku vdiqën tre persona dhe një tjetër u plagos në Mat. Basha e cilëson ngjarjen e sotme si një tjetër dëshmi të degradimit total të shtetit.

“Ngjarja e sotme është një tjetër dëshmi e përgjakshme e degradimit total të shtetit, e pasigurisë që mbretëron ngado dhe e guximit të banditëve të veshur me pushtet për të kryer një masakër të tillë”.

Dy punonjës të Bashkisë së Matit dhe një banor i fshatit Shëlli janë ekzekutuar me kallashnikov në një konflikt që ka ndodhur në këtë fshat. Të tre ishin duke drekuar, pasi kishin punuar për ndërtimin e një rruge në këtë zonë.

Reagimi i plotë:

“Një ngjarje e tmerrshme ka goditur sot Matin dhe ka trazuar shpirtin e çdo shqiptari. Tre punonjës të bashkisë që po punonin për ndërtimin e një rruge janë vrarë barbarisht me bukë në gojë në fshatin Shëlli.

Në këto momente të vështira jam pranë familjeve të Mentor Hoxhës, Hamit Buçit dhe Erzen Alijës dhe lus Zotin që tua lehtësoj sado pak dhimbjen

Po ashtu i uroj shërim të shpejtë të plagosurit Astrit Hani.

Ngjarja e sotme është një tjetër dëshmi e përgjakshme e degradimit total të shtetit, e pasigurisë që mbretëron ngado dhe e guximit të banditëve të veshur me pushtet për të kryer një masakër të tillë”.

/tvklan.al