Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Miklovan Parubin, autorin e vrasjes së dyfishtë në Dajç dhe bashkëpunëtorin e tij, Marçel Shpijatin.

Edhe para togave të zeza 33-vjeçari Parubi ka pranuar krimin, duke sqaruar se ka dashur të vrasë vetëm Ndok Markun ,i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje të rëndë.

Parubi tha se qëlloi ndaj shokëve të tavolinës, pasi ata e kishin tallur dhe vënë në lojë dhe nuk i duronte dot më. Marçel Shpijati, sqaroi se e ndihmoi Parubin, pasi kishte frikë se mos ai e vriste duke qenë se ai kishte dalë me armë nga lokali. Seanca për këto masa u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe të afërm të viktimave dhe autorit, të cilët gjatë gjithë kohës shoqëroheshin nga blutë e Shkodrës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e se hënës në kryqëzimin e Dajçit. Miklovan Parubi qëlloi me kallashnikov brenda një lokali mbi shokët e tij, duke lënë të vdekur Gacalin Kopshtin dhe plagosur katër të tjerë. Pasi doli nga lokali ai qëlloi edhe mbi pronarin e lokalit Arjet Saiti, duke e lënë edhe atë të vdekur. 33-vjeçari qëlloi 38 plumba mbi viktimat dhe të plagosurit.

Tv Klan