30 vjet burg ka dhënë një gjykatë italiane për Muhamed Vrapin, 63-vjeçarin shqiptar i cili në Qershor të vitit të shkuar vrau bashkëshorten e tij Diana Koni Vrapi. Vrasja makabre që tronditi komunitetin italian e shqiptar ndodhi në Busto Arsizio.

Vrapi e goditi bashkëshorten e tij mbi 15 herë me thikën e kuzhinës. Motivet e këtij krimi nuk u sqaruan kurrë plotësisht. Mes tyre kishte pasur debate të vazhdueshme, një fakt ky që në kohën e vrasjes u pohua edhe nga fëmijët e tyre.

Vetë i pandehuri pretendoi se bashkëshortja ishte xheloze dhe atë ditë humbi durimin. Megjithatë, siç shkruajnë edhe mediat italiane, të gjitha këto aludime nuk u sqaruan kurrë deri në fund, të paktën për publikun.

Çifti kishte emigruar nga Durrësi drejt Italisë fqinje vite më parë dhe kishin 3 fëmijë.

/tvklan.al