Një sherr mes dajë e nip, përfundoi në plagosjen e këtij të fundit mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Shkodrës. I plagosur nga kjo ngjarje e rëndë mbeti 44-vjeçari Bledar Troshani. Ai u godit disa herë me thikë nga daja i tij, 78-vjjeçari Zyhdi Shpejtimi, i arrestuar nga policia.

Sipas asaj që raporton gazetarja Emi Kalaja, paraprakisht dyshohet se konflikti ndodhi për motive pronësie. “Të paktën këto janë dyshimet paraprake të policisë së Shkodrës, në bazë edhe të dëshmive të marra në vendin e ngjarjes, por edhe të familjarëve”, thotë Kalaja.

44-vjeçari mori plagë të rënda. Ai mësohet se shkoi në gjendje kritike në spital dhe ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën, tha gazetarja duke cituar burime nga spitali i Shkodrës.

Sa i përket autorit të dyshuar, ai mësohet se në momentin e ngjarjes ka qenë në gjendje të dehur.

“Deri në këto momente nuk ka ende deklaratë të autorit të dyshuar të ngjarjes. Në momentet e para ai ka qenë totalisht i dehur… Ai madje nuk ka qenë i vetëdijshëm për çfarë po e arrestojnë, ka thënë që nuk kam bërë asgjë të keqe. Megjithatë ndoshta do t’i duhet pak kohë që të ndërgjegjësohet për ngjarjen e rëndë dhe sulmin ndaj nipit 44-vjeçar”, shtoi Kalaja./tvklan.al