Veliaj: Ligj për shërbimin vullnetar të zjarrfikësve

Tërmeti i 26 Nëntorit nxori në pah edhe nevojat për planifikimin e masave që duhet të ndërmerren nga pushteti lokal në rast fatkeqësie. Gjatë një takimi me Presidentin e Shoqatës Austri-Shqipëri, Wolfgang Grossruck, kryebashkikau Erion Veliaj tha se shumë shpejt do të hartohet një ligj për të mbështetur Shërbimin Vullnetar të Zjarrfikësve.

“Kur bie tërmet apo kur kemi një fatkeqësi të gjithë themi: Ku janë zjarrfikëset? Ku janë uniformat? Çështja është, po në ditët kur nuk ka tërmet? Na duhet të planifikojmë për ditën e fatkeqësisë. Një nga propozimet ka qenë Shërbimi Vullnetar i Zjarrfikësve, që do ta pilotojmë në Tiranë dhe shumë shpejt do të kemi edhe legjislacionin që mbështet shërbimin vullnetar, ashtu siç bëhet në Austri, ku patjetër që në zonat urbane është shërbimi publik i zjarrfikëses, por ama në zonat rurale, në zonat e largëta, aty ku kemi djegie masive në verë, patjetër që shërbimi vullnetar, i përbërë nga banorët e atyre zonave, është shumë më afër territorit dhe me pak mjete e shumë kurajo, mund të shërbejë përpara se mjetet të vijnë nga Tirana”.

Ndërsa Presidenti i shoqatës Austri-Shqipëri, Wolfgang Grossruc tha se shërbimi vullnetar i zjarrfikësve, i cili do të pilotohet për herë të parë në Tiranë, është i rëndësishëm për shoqërinë.

“Mendoj se është e domosdoshme, jo vetëm për sigurinë dhe luftën kundër zjarrit, por gjithashtu edhe për shoqërinë civile. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, si dhe shpresojmë dhe jemi të bindur që do të na mbështesni me gjithë forcën tuaj. I uroj qytetarët e Tiranës, kam qenë këtu 25 vjet më pare, dhe qyteti është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Përveç hartimit të ligjit, projekti për shërbimin vullnetar të zjarrfikësve do të mbështetet edhe financiarisht.

Tv Klan